Futboll

Krasniqi kompleton huazimin te Legia e Varshavës

Ermal Krasniqi

Futbollisti i Kosovës, Ermal Krasniqi, ka kompletuar huazimin nga Sparta Praga te Legia e Varshavës. Klubi i madh polak ka opsionin e blerjes së kartonit të Krasniqit nga klub çek. 26-vjeçari ka premtuar paraqitje të mira për Legian. “Faleminderit për pritjen e ngrohtë. Ndihem shumë mirë dhe i emocionuar që ndodhem këtu në klubin më të madh në Poloni. Do të mundohem të tregoj më të mirën time për të ndihmuar ekipin dhe shpresoj ta fitoj titullin me Legian. Pozicioni im është si sulmues i krahut të majtë, por mund të luaj edh në anën e djathtë të sulmit”, ka thënë Krasniqi.

Drejtori sportiv i Legias, Michael Zewlakow, ka theksuar se Krasniqi dallon nga sulmuesit tjerë të krahut që ka pasur klubi në të kaluarën.

“Ermal Krasniqi është një sulmues krahu, ndryshe nga ata që kemi pasur më parë. Ai luan në sul, duke u mbështetur në shpejtësi dhe lojë të mirë individuale. Ai është një lojtar që luftoi për të gjetur hapësirën e mjaftueshme te Sparta, por trajneri Iordanescu e njeh mirë nga koha e tij në Rumani. Profili i tij na përshtatej dhe për këtë arsye vendosëm ta huazojmë. Shpresoj që ai të sjellë një frymë të re”, ka thënë drejtori i klubit polak.

Krasniqi te Legia do ta bartë fanellën me numrin 77.

Te Legia në të kaluarën janë paraqitur edhe disa lojtarë shqiptarë. Krasniqi është futbollisti i radhës që do ta veshë fanellën e klubit të madh polak.