Futbollisti i talentuar i Chelseat, Cole Palmer, ishte i heshtur në pjesën e dytë të sezonit për skuadrën e tij. Kishte shënuar vetëm një gol e disa asistime në 22 ndeshje. Por, kur skuadrës iu desh më së shumti kreativiteti, organizatori i fazës sulmuese shpërtheu me paraqitje mbresëlënëse për ta ndihmuar ekipin ta fitonte Ligën e Konferencës.
Chelsea ishte duke humbur 1:0 pas pjesës së parë në finalen e së mërkurës mbrëma të zhvilluar në Wroclaw të Polonisë.
Në 45 minutat e parë, skuadra e Real Betisit kishte epërsi 1:0 dhe shfaqi shumë energji e lojë me presion të lartë.
Chelsea duhej të kthehej dhe Palmer dhuroi dy asistime të përkryera brenda pesë minutash për ta kthyer ndeshjen në favor të ekipit londinez.
Pasi krijoi epërsinë 2:1, Betisi nuk mundi të kthehej më ndaj Chelseat që e fitoi finalen me rezultatin 4:1.
Mesfushori anglez harkoi nga e djathta dhe e gjeti Enzo Fernandezin që shënoi me kokë, ndërsa më pas bëri asistim tjetër të bukur pasi e kaloi një kundërshtar. Krijoi hapësirën dhe bashkëveproi me Nicolas Jacksonin që shënoi për 2:1.
“Ne kishim intensitet të lartë dhe u paraqitëm mirë në pjesën e dytë”, tha Palmer pas ndeshjes. “U lodha nga loja duke e kthyer topin prapa dhe me lojë në krah. Në golin e parë pati pak hapësirë, e pashë Enzon teksa vraponte. Në golin e dytë ndodhi e njëjta. Mendoj se shfaqëm karakter, për këtë arsye bëmë rikthimin”.
Kontributi i tij u vlerësua lart edhe nga bashkëlojtarët.
“Nëse e shihni atë çfarë ai bëri, ka qenë çmenduri. Dy asistime në golat që e ndryshuan ndeshjen. Këtë e bën ai”, ka thënë mbrojtësi i Chelseat, Tosin Adarbioyo.
I vetmi gol i Palmerit që prej mesit të muajit janar ishte ndaj Liverpoolit nga penalltia. Por, aftësia e tij për ta bërë pasimin e duhur, apo për ta diktuar ritmin e lojës, e bën atë lojtar të ngjarjeve të mëdha.
23-vjeçari që njihet për intervista me përgjigje të shkurtra, por ka talent të madh dhe ndikim te të rinjtë në skuadrën e Chelseat.
Nëse në edicionin e ardhshëm synohet titulli në Premier League, ai do të jetë futbollisti rreth të cilit Enzo Maresca do ta ndërtojë ekipin. Në natën që dukej e vështirë për Chelsean në Wroclaw, ku nevojiteshin qetësi dhe kualitet, Palmeri e shfaqi atë që e bën më së miri.
“Ecuria jo e mirë që e ka pasur në këtë sezon do ta bëjë atë futbollist më të mirë, pa dyshim. Në momentet e fundit, ai mund t’i vendosë ndeshjet me gol apo asistim. Dhe dy asistimet e tij ishin shumë të mira”, ka thënë Maresca.
Ai u krahasua me yllin e futbollit Lionel Messi pas paraqitjes në finalen e Ligës së Konferencës.
“Nëse Lionel Messi bën paraqitje të tillë në këtë nivel, e gjithë bota ndalet”, tha ish-ylli i Chelseat, Joe Cole. “Duket sikur ai po luan në rrugë apo në park. Është privilegj ta shohësh këtë fëmijë duke luajtur futboll. Ai është absolutisht gjeni”.