Futbollistët e Përfaqësueses U15 të Kosovës kanë zhvilluar të martën ndeshje miqësore kundër futbollistëve nga regjioni i Luginës, përkatësisht Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se miqësorja me lojtarët e përzgjedhur nga regjioni i Luginës, ka për qëllim të zbulimit të lojtarëve të rinj shqiptarë nga këto treva.
“Kjo iniciativë synon të zbulojë talentet në trevat shqipfolëse që jetojnë matanë kufirit, duke iu hapur rrugë që ata të jenë pjesë e kombëtares dardane në të ardhmen. Ndeshja më shumë shërbeu si një formë vëzhgimi për stafin teknik, i cili do të ndjekë nga afër formën e këtyre talenteve”, shkruan në njoftimin e FFK-së.
Përzgjedhësi i Kosovës U15, Ilir Nallbani, trajneri i regjionit të Luginës, Jeton Rexhepi dhe futbollistët nga Lugina u shprehën të kënaqur me miqësoren e luajtur në Kampin Nacional në Hajvali.
Premtohet vazhdimësi e këtij projekti edhe në të ardhmen.