Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kosova në Bratislavë luan ndeshje jubilare

Kosova

12 janari i vitit 2014 mbetet një nga datat më të rëndësishme të futbollit kosovar. Kosova fitoi të drejtën nga FIFA për të zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Vetëm pak javë më pas, më 5 mars 2014, Kosova e zhvilloi ndeshjen e parë miqësore, të njohur e të evidentuar nga FIFA. Barazoi pa gola kundër Haitit, duke shënuar epokë të re. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Debutimin në kualifikime, Kosova e bëri më 5 shtator 2016, katër muaj  pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Barazoi 1:1 me Finlandën.

Dhe rrugëtimi i “Dardanëve” arrin në pikë tjetër.

Të enjten, Kosova e zhvillon ndeshjen e 100-të prej se mori leje nga FIFA për miqësore. Në Bratislavë luan ndaj Sllovakisë.

Kosova synon fitore për të vazhduar ëndrrën – kualifikimin historik në Kupën e Botës 2026.
Ndeshja gjysmëfinale e plejofit kualifikues për Kupën e Botës luhet nga ora 20:45 në Stadiumin Nacional në Bratislavë.

“Është ndeshje e veçantë për secilën Kombëtare që ka arritur në këtë pikë të garës për kualifikim në Kupën e Botës. Kur e kemi parasysh për sa kohë të shkurtër e kemi arritur një gjë të tillë, sigurisht që na bën të gjithëve krenarë”, tha presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për KOHËN të mërkurën.

Kosova ndeshjen e 99-të, pas lejes së FIFA-s, e zhvilloi ndaj Zvicrës në Prishtinë. Ndeshja e 18 nëntorit të vitit të kaluar ishte e fundit e ciklit të rregullt kualifikues për Kupën e Botës.
Në 99 ndeshjet nga viti 2014 e tutje, përfshirë miqësoret, Kosova ka 39 fitore, 22 barazime e 39 humbje. 

Greqia ka qenë kundërshtarja më e shpeshtë. Me grekët, “Dardanët” janë ballafaquar gjashtë herë.
Me Sllovakinë, Kosova luan për herë të parë.

“Të gjithë e dimë rëndësinë e ndeshjes. E dimë vlerën e secilës Kombëtare që ndodhet në plejof. Janë ekipe me vlerë dhe secila pret fitore. Ne kemi ambiciet tona. E njohim tashmë kundërshtaren. Ekipin e kemi në formë, në disponim të mirë. Na vjen keq për dy mungesat, të kapitenit Amir Rrahmani dhe mesfushorit Leon Avdullahu. Janë dy mungesa të mëdha, por trajneri ka punuar për të gjetur zëvendësuesit e tyre. Udhëtojmë për fitore dhe presim të gëzojmë veten dhe tifozët e shumtë që do të jenë në Bratislavë dhe mbarë botën. Besoj në këtë ekip, lojtarët, trajnerët dhe gjithë stafin. Është arritje e jashtëzakonshme, por në këto dy hapa të fundit duhet ta japim 100 përqindëshin për të siguruar kualifikimin”, është shprehur Agim Ademi.

Nëse Kosova shënon fitore ndaj Sllovakisë, finalen e plejofit më 31 mars e luan në “Fadil Vokrri”. Biletat tashmë janë shitur. Ka shpresë se ndeshja do të jetë finale e jo miqësore.