Dy lajme pozitive ishin lidhur me Përfaqësuesen e Kosovës të premten. Në ranglistën e FIFA-s, Kosova e shënoi ngritjen më të madhe, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda vazhdoi edhe për dy vjet të tjerë me “Dardanët”.
Rritja e Kosovës, me rezultate dhe pozitë, është bërë gradualisht. Dhe kjo jep shpresë se baza tashmë është ndërtuar, ndërsa e ardhmja është e sigurt.
Kosova është ngjitur për shtatë pozita në ranglistën e FIFA-s për përfaqësueset më të mira të futbollit. Nga vendi i 91-të doli në pozitën e 84-t. Asnjëherë nuk ka qenë kaq lart në renditje.
Kosova në muajin tetor pati barazim pa gola me Slloveninë në “Fadil Vokrri”, në Prishtinë dhe fitoi 1:0 në Goteborg ndaj Suedisë. Ndeshjet u takuan kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Kosova tani ka shtatë pikë në vendin e dytë në grupin kualifikues, tri më pak se Zvicra. Sllovenia ka tri pikë, ndërsa Suedia e ka një pikë.
Suedia është përfaqësuesja që ka humbur më së shumti pikë në publikimin e ri të ranglistës. Ka rënë për tetë pozita dhe tani është e 40-a. Rënie për një pozitë ka pësuar edhe Sllovenia, që zë vendin e 51-të në ranglistë. Zvicra mbetet në pozitën e 17-të.
Ngritje për pesë pozita ka shënuar edhe Shqipëria, pas fitores së madhe në Leskovc ndaj Serbisë, 1:0, dhe ndaj Jordanisë 4:2 në Tiranë. “Kuqezinjtë” renditen në pozitën e 61-të.
Në Federatën e Futbollit të Kosovës janë shprehur të lumtur për këtë arritje, ndonëse e pranojnë se rruga nuk ka qenë e lehtë.
“Në futboll e fiton atë për të cilën investon, jo atë që e dëshiron. Faktikisht është investuar e punuar që të vijë kjo ditë ku jemi tash, me këto rezultate. Për pozitën në ranglistë, e them me modesti, nuk e kemi pritur. Sukseset po vijnë pas punës që kemi bërë deri tani. E kemi ditur se do të kishim vështirësi. Por kemi ardhur në një moment ku eksperiencën e fituar nga pranimi deri tani, me këtë gjeneratë që e kemi tani, duhet ta shfrytëzojmë”, ka deklaruar drejtori i Përfaqësueses, Muharrem Sahiti, të premten për KOHËN.
Sahiti ka treguar se janë në kontakt të vazhdueshëm me federatën, me kryetarin Agim Ademi, stafin e trajnerëve, lojtarët, e të gjithë të tjerët. Ka theksuar se ky zinxhir po funksionon në mënyrë të përkryer deri tani.
“Grupi është shumë i vështirë dhe kur gjithë opinioni mendon tash se është punë e kryer, ne jemi më këmbë në tokë dhe themi që akoma jemi larg plejofit. Tani qëllimi është të arrijmë në plejof, por çfarëdo që del më shumë, është shumë më pozitive. Duhet ta menaxhojmë situatën që është krijuar, sepse ndonjëherë edhe deklaratat e ekipeve kundërshtare ndikojnë negativisht nëse ne i marrim si mburrje çfarë po thonë ata. Por faktikisht është një lloj përgjegjësie dhe jemi duke punuar shumë në këtë drejtim, ta menaxhojmë grupin. Nuk duhet ta marrim si një gjë të kryer. Matematikisht një pikë e fituar ndaj kundërshtarit direkt, Sllovenisë, na siguron plejofin”, theksoi Sahiti.
Rritja e hovshme e Kosovës nisi nga fundi i vitit të kaluar. Vitin 2024, Kosova e mbylli në pozitën e 99-të në ranglistën e FIFA-s. Në ranglistën e publikuar më 3 prill, Kosova bëri përparim për dy pozita, pas fitoreve ndaj Islandës në plejofin e Ligës së Kombeve.
Rezultate pozitive, Kosova pati edhe në qershor. Fitoi miqësoret ndaj Armenisë dhe Komoreve. Nga vendi i 97-të, Kosova u ngrit në pozitën e 95-të, në renditjen e publikuar më 10 korrik. Më 18 shtator u shënua tjetër ngritje, për katër pozita.
Pati ndikim fitorja 2:0 ndaj Suedisë në Prishtinë.
Këto rezultate u arritën nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda. Foda ishte zyrtarizuar si përzgjedhës i përfaqësueses A të Kosovës më 17 shkurt të vitit të kaluar, ndërsa të premten vazhdoi edhe për dy vjet të tjerë me “Dardanët”.
“Pasi vazhduam me të jemi shumë të kënaqur. E ka dëshmuar deri tani jo vetëm me rezultatet e suksesshme, por edhe me punë, organizim e me disiplinë. Për këtë ramë dakord që të vazhdojmë edhe për dy vjetët e ardhshëm. Qëllimi ka qenë që pas dy vjetësh t’i korrim ato që i kemi mbjellë”, theksoi Sahiti.
Foda e ka udhëhequr Kosovën në 17 ndeshje deri tani. Ka 11 fitore, një barazim e pesë disfata. Njëra prej disfatave ishte ndaj Rumanisë me rezultat zyrtar.
Me sukseset e arritura, Foda mbetet trajneri më i suksesshëm i Kosovës. Muajin e ardhshëm do t’i ketë edhe dy teste të vështira në kualifikimet për Botërorin në Kanada, Meksikë dhe SHBA. Më 15 nëntor, Kosova luan në udhëtim te Sllovenia, ndërsa më 18 nëntor i mbyll kualifikimet e rregullta me ndeshjen në shtëpi ndaj Zvicrës.