Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të përballet me Sllovakinë, në rrugën për të vazhduar ëndrrën e Botërorit 2026.
Shorti për çiftet gjysmëfinaliste të plejofit për Kupën e Botës në SHBA, Kanada e Meksikë u hodh të enjten në Cyrih.
Kosova në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit, që zhvillohen më 26 mars të vitit të ardhshëm, do të jetë mysafire.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka vlerësuar lart Sllovakinë por, sipas tij, ekipi dardan ka fituar vetëbesim të madh pas rezultateve me Zvicrën, Slloveninë e Suedinë.
“Sllovakia ka një ekip shumë të mirë. Ata fituan në shtëpi kundër Gjermanisë 2:0. Por bazuar në rezultatet tona të fundit, kemi fituar si mysafir në Suedi, në Slloveni dhe gjithashtu kundër Islandës si mysafir. Ekipi tani ka shumë vetëbesim dhe do të jetë një ndeshje e barabartë. Dhe, nëse e fitojmë këtë ndeshje, pastaj kemi një ndeshje në shtëpi ku mund të vendosim gjithçka. Por siç thashë, ndeshja më e rëndësishme është ndeshja e parë në Sllovaki dhe pastaj të shohim tutje”, ka thënë përzgjedhësi Foda për Federatën e Futbollit të Kosovës të enjten pas shortit.
Nëse Kosova kalon Sllovakinë, atëherë në finale të plejofit do të luajë si vendase në “Fadil Vokrri” më 31 mars. Do ta presë fituesin e duelit Turqi – Rumani.
Presidenti i Federatë së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se Sllovakia është kundërshtare e fortë. Por i pari i FFK-së, beson se Kosova ka potencial për të kaluar në finale të plejofit për Kupën e Botës.
“Të gjitha përfaqësueset e përfshira në short janë të forta. Sllovakia është e fortë dhe do të luajmë në vendin e tyre. Por besoj në grupin dhe uroj të mos kemi mungesa dhe të gjithë lojtarët të jenë në dispozicion të trajnerit Franco Foda. Shpresoj dhe besoj se do ta kalojmë këtë hap dhe të sigurojmë finalen”, ka thënë kryetari Ademi për KOHËN të enjten.
Kosova nuk është përballur asnjëherë kundër Sllovakisë. Sllovakia është përfaqësuesja e radhës e një shteti që nuk e njeh shtetin e Kosovës e që do të luajë ndaj përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Sllovakët patën kualifikime të mira. Përfunduan në vendin e dytë në grup me Gjermaninë. Gjermania i mblodhi 15 pikë, Sllovakia 12, Irlanda e Veriut nëntë dhe Luksemburgu mbeti pa pikë. Në shtator, Sllovakia e kishte mposhtur 2:0 Gjermaninë në Bratisllavë. Por gjermanët e fituan 6:0 ndeshjen vendimtare për vend të parë me Sllovakinë, të hënën në Leipzig.
Por për “Dardanët”, Turqia e Rumania nuk janë kundërshtare të panjohura. Kosova në të kaluarën ka luajtur kundër këtyre dy përfaqësuesve.
Kosova kundër Rumanisë ishte përballur katër herë. Ka tri humbje dhe një barazim. Njëra prej tri humbje ishte me rezultat zyrtar. Ndeshja e 15 nëntorit të vitit të kaluar ndaj Rumanisë ishte ndërprerë në minutat e fundit kure rezultati ishte 0:0.
Pas disa përplasjeve të lojtarëve në fushë, një grup i tifozëve rumunë nisën thirrjet “Serbia, Serbia”. Lojtarët e Kosovës vendosën të lëshojnë fushën dhe nuk u kthyen edhe kur këtë ua kërkoi gjyqtari i ndeshjes.
Huliganët, të grupuar në grupin “Uniti Sub Tricolori”, kishte bërë thirrje kundër Kosovës edhe në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Më pas kishte shpalosur banerin “Kosova është Serbi” në Bukuresht, duke shkaktuar telashe disa herë në ndeshjet e Rumanisë me Kosovën.
Ndërkohë, raportet me Turqinë i ka të shkëlqyera, ndonëse i ka humbur dy përballjet e ciklit të parë kualifikues për Botërorin “Rusia 2018”.