Futboll

Korenica e Gallapeni besojnë në suksesin e Kosovës në Zvicër

Kosova

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka përfunduar edhe stërvitjen e dytë në prag të ndeshjeve me Zvicrën e Suedinë. Kosova luan të premten mbrëma ndaj Zvicrës në Basel, në ndeshjen hapëse të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. 

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se në stërvitjen e dytë ishin të gjithë futbollistët në të cilët llogaritë përzgjedhësi Franco Foda. Për shkak se u bashkuan vonë me grupin, Fidan Aliti dhe Ron Raqi kishin program të diferencuar.

Stërvitja e dytë është zhvilluar të martën paradite në qendrën stërvitore të FFK-së në Hajvali.
Meriton Korenica shpreson ta fitojë rastin ndaj Zvicrës. Ai po kalon formë të mirë në Rumani dhe marrë për bazë edhe mungesat, mund të shfrytëzohet nga Foda në ndeshjen e vështirë në Basel.

“Jemi duke u stërvitur maksimalisht për ndeshjen. Stërvitja ka shkuar shumë mirë, të gjithë djemtë janë të motivuar për ndeshjen e parë. Shpresojmë të bëjmë më të mirën dhe të japim maksimumin pasi dihet që është një lojë e vështirë. Por gjithçka është duke shkuar shumë mirë dhe shpresoj që të japim maksimumin edhe pse jo të marrim rezultat pozitiv”, ka thënë Korenica.

Me Suedinë, Kosova luan të hënën e ardhshme në “Fadil Vokrri”.

“Janë dy shtete shumë të forta, skuadra të vështira. Presim rezultate pozitive pasi kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve dhe gjithë janë të motivuar dhe mezi i presin ndeshjet”, ka vazhduar Korenica.

Në Zvicër pritet numër i madh i shqiptarëve, njëjtë si në dy ndeshjet e kaluara në këtë vend. Korenica dhe lojtarët e tjerë të Kosovës presin përkrahje të madhe.

“Pres përkrahjen e të gjithëve pasi ka shumë shqiptarë. Shpresoj që atje të bëjmë më të mirën dhe t’i kënaqim edhe atje që do të vijnë ta shikojnë ndeshjen”, ka thënë 28-vjeçari nga Rahoveci. 

Për mbrojtësin 20-vjeçar Dion Gallapeni, sukses i madh është vetë grumbullimi me përfaqësuese. Por ai po jep maksimumin në stërvitje me synim për ta fituar rastin në lojë. Gallapeni ka bërë hap të madh në karrierë duke u transferuar në verë nga Prishtina te Lodzi polak. 

“Stërvitjet janë me intensitet mjaftë të lartë. Jemi duke u përgatitur për dy ndeshjet që i kemi por normalisht fokusi për momentin është vetëm te Zvicra. Jemi duke punuar në mënyrën taktike. Shpresojmë të shkojmë atje dhe të marrim rezultat pozitiv”, ka thënë Gallapeni. Ai tashmë ka debutuar te Kosova.

“Pres që në ndeshjen me Zvicrën të futemi me fokus maksimal sepse e dimë që është një ndeshje mjaftë e vështirë. Shpresojmë që edhe atje me ndihmën e bashkatdhetarëve, tifozëve tanë, të marrim një rezultat pozitiv”, ka shtuar mbrojtësi i talentuar. 

Kosova stërvitjen e radhës e zhvillon të mërkurën paradite.

Edon Zhegrova, Milot Rashica, Emir Sahiti e Florent Hadërgjonaj janë prej lojtarëve që mungojnë.