Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të jetë i pranishëm në ceremoninë e tërheqjes së shortit për Kupën e Botës 2026 në futboll. Shorti tërhiqet të premten në Washington, ndërsa Botërori mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.
Prezenca e Trumpit në ceremoninë që mbahet në “Kennedy Center” në kryeqytetin amerikan është konfirmuar nga zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt.
Botërori në SHBA, Kanada dhe Meksikë është i pari me 48 përfaqësuese.
Prejse mori mandatin e ri në fillim të vitit, Trumpi shumë herë u është adresuar çështjeve që kanë të bëjnë me futbollin. Në verë, në Botërorin e klubeve, Trumpi shpesh është paraqitur përkrah presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Ceremonia e shortit pritet të jetë madhështore. Tashmë janë caktuar vazot, ndërsa pjesë e shortit do të jetë edhe Kosova. Në fakt pos përfaqësueseve tashmë të kualifikuara, në short do të përfshihen edhe përfaqësueset që janë në plejof, e që rrjedhimisht mund të jenë në Botëror në vitin e ardhshëm.
Fituesit e plejofit evropian në short do të jenë në vazon e katërt.
Në short pritet të jenë përfaqësuesit e shumicës së federatave që kanë ekipet në Botëror dhe të atyre që janë në plejof. Por jo të gjitha.
Irani dhe Haiti janë dy vendet që marrin pjesë në Botëror e që kanë kufizime për udhëtim në SHBA, në bazë të listës së publikuar nga Trumpi në qershor.
Ka raportime që nëntë zyrtarë të Iranit, duke përfshirë presidentin e federatës dhe selektorin, nuk do të lejohen të jenë në ceremoninë e shortit. Disa media kanë raportuar se Irani mund ta bojkotojë plotësisht ceremoninë e shortit, nëse vizat për personat e kërkuar nuk garantohen.
Presidenti i FIFA-s, Infantino, ka shfaqur afërsi të madhe me Trumpin në muajt e fundit. Dhe për këtë është kritikuar jo pak nga personalitete të ndryshme të futbollit.
Botërori mbahet prej 11 qershorit deri më 19 korrik të vitit të ardhshëm. Ndeshjet do të luhen në 16 qytete të ndryshme. Deri më tani Botërori i kishte 32 përfaqësuese.