Futboll

Kërkesa e veçantë e Grudës nëse e fiton Evropianin

Brajan Gruda

Sonte nga ora 21:00, Gjermania U21 mund të bëhet kampione evropiane për herë të katërt, nëse e mposht Anglinë e kësaj grupmoshe.

Finalja do të luhet në “National Football Stadium”, ndërsa janë blerë gjitha biletat e stadiumit me kapacitet prej 22 mijë e 500 ulëseve në Bratislavë.

Gjermanët janë të pamposhtur për saktësisht dy vjet.

Humbjen e fundit e kishin pësuar në fazën grupore të edicionit të kaluar të Kampionatit Evropian, pikërisht nga Anglia, 2:0.

“Ne kemi një ekspert në ekipin tonë, Brajan Grudën. Ish-futbollisti i Mainzit që tani luan te Brightoni në Premier League, para turneut, konsiderohej si kandidati kryesor për të qenë ylli i Kampionatit Evropian. Ai ende nuk ka lënë shumë gjurmë si titullar, por si zëvendësues shënoi gol në gjysmëfinale ndaj Francës. Ai do të jetë titullar sonte. Dhe përveç që do t’i fitonte 35 mijë euro, ai do ta hajë edhe ushqimin e preferuar”, ka shkruar mediumi i njohur gjerman “Bild”.

Dhe ushqimin e preferuar, Gruda e ka kërkuar nga nëna e tij në rast të triumfit.

“Nëse Brajani e fiton Kupën, do t’i përgatis atij ushqimin e preferuar. Para ndeshjes me Francën, ai më thirri dhe më tha se po i mungon orizi dhe pula e skuqur”, ka deklaruar nëna e Brajanit, Manjola, në një intervistë dhënë “Bildit” të shtunën.

Goli i parë i djalit të saj në turne ka qenë çlirim për tërë familjen.

“Jam shumë krenar me djalin tim”, ka thënë Manjola. “Pas golit ndaj Francës, kam qarë. E kemi pritur këtë gol për kohë të gjatë. Ka qenë moment mahnitës”.

Ajo tregon se Brajani ka nisur të merret me futboll shumë herët. Madje ka shtuar se asgjë në shtëpi nuk ka qenë e sigurt nga ai. Shkak ishin topat e futbollit me të cilët ai luante.

“Ai një herë pa dashje e theu televizorin në dhomën e pritjes. Në fakt, ka thyer shumë gjëra tjera më herët, por nuk kishte problem. Nëna gjithmonë i falë fëmijët e vet. Brajani ka qenë gjithmonë djalë i mirë dhe i sjellshëm, i cili ka bërë shaka dhe ka qenë gjithmonë i qeshur”, tregon ajo.

Brajan Gruda e ka potencialin për t’u bërë herë. Goli i tij në gjysmëfinale mund të jetë faktor vendimtar.

“Shpresoj që goli e ka ngritur atë edhe më shumë. Brajani është futbollist i jashtëzakonshëm që mund të na ndihmojë shumë në finale”, ka thënë mesfushori Rocco Reitz, që aktivizohet te Monchengladbachu.