Futboll

Karoglan solli te Ballkani përvojën e fituar te Hajduku e Sheriff Tiraspoli

Mislav Karoglan

Të drejtosh Hajdukun e famshëm të Splitit dhe më pas Sheriff Tiraspolin e famshëm të Moldavisë, e ndërkohë të marrësh drejtimin e një skuadre në Kosovë, jo për të gjithë është lëvizje e logjikshme. Për këtë është i vetëdijshëm kroati Mislav Karoglan. 

Por pikërisht për këtë lëvizje vendosi trajneri 43-vjeçar.

Karoglan është tashmë trajner i Ballkanit të Suharekës, ndërsa ka nisur furishëm. Ai u emërua trajner i Ballkanit më 25 nëntor. E zëvendësoi Orges Shehin, ndërsa firmosi për dy vjet e gjysmë. Më 26 nëntor nisi punën me suharekasit, ndërsa më 30 nëntor debutoi me fitore. Ballkani e mposhti kampionen në fuqi të Kosovës në futboll, Dritën, me rezultatin 3:2. Mesjavën e kaluar Ballkani fitoi 1:0 ndaj Rilindjes në ndeshje për Kupë të Kosovës. Dhe të shtunën shënoi tjetër fitore në Superligë. E “shkeli” Prishtinën e Re, duke e mposhtur 6:1 në Suharekë.

Ballkani tani është lider i klasifikimit, kështu që fillim më të mirë as që mund të ketë menduar Karoglan, trajneri i parë i huaj në histori të Ballkanit.

Por si u bë që Karoglan të marr drejtimin e Ballkanit, pasi më parë kishte drejtuar Sheriff Tiraspolin në Moldavi dhe Hajdukun e Splitit në Kroaci?

“Që të jem plotësisht i sinqertë, nuk ishte vendim i lehtë që pas Hajdukut dhe Sheriffit të vijë në Kosovë. Por dëshira për të punuar në një klub që ka ambicie që të luftojë për kreun, e bëri të veten. Në të njëjtën kohë e dua tepër këtë sport. Vendimtare është që të kem disa pikëpamje të mia për çdo gjë. Disa principe personale, që janë më të rëndësishme se ajo se çka është e logjikshme apo nuk është për dikë”, ka thënë Karoglan të hënën për KOHËN.

I lindur në Kroaci, ai ka luajtur për skuadra të ndryshme në këtë vend, por edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Izrael, Sllovaki e Singapor. I kishte dy ndeshje për Bosnjë-Hercegovinën U21. Karrierën si trajner e nisi në vitin 2016. Nisi te Croatia Zmijavci. Më pas e drejtoi Zarën, kurse në vitin 2019 e mori drejtimin e ekipit U17 të Hajdukut. Në vitin 2022 ishte trajner i përkohshëm i Hajdukut. Një vit më pas e drejtoi Istrën, ndërsa kryetrajner i Hajdukut të Splitit ishte në edicionin 2023/2024. Në edicionin 2024/2025 ishte trajner i Sheriff Tiraspolit në Moldavi. 

Tani është te Ballkani.

“E njoh Ballkanin përmes lojtarëve që kanë luajtur te Hajduku. I kemi skautuar një pjesë të tyre, e disa ishin te ne si Tolaj, Dellova, Deliu. Po ashtu skuadra e Ballkanit ka luajtur kundër Dinamos”, ka theksuar Karoglan.

Pas ardhjes në Kosovë, tekniku kroat është befasuar për të mirë për shumë gjëra. Por jo me infrastrukturën e futbollit.

“Kualiteti i qyteteve, rrugët dhe shumë çka tjetër më ka befasuar pozitivisht. Në anën tjetër stadiumet dhe gjithë infrastruktura e futbollit është shumë e keqe”, thotë trajneri i ri i Ballkanit.

Përshtypjet e para të tij janë shumë pozitive. Karoglan është i kënaqur me të gjitha. Thotë se në klub e qytet ka takuar njerëz shumë të mirë dhe se skuadra është shumë e motivuar.

Tri fitore, njëra prej të cilave ndaj kampiones në fushën e saj, është bilanc i kënaqshëm.

“Fillimi është i mirë, por e di që rruga është shumë e gjatë dhe që kemi dobësi. Por qasja dhe shpirti i këtij ekipi më jep besim se mund të rritemi”, thotë Karoglan.

Synimet e Ballkanit janë maksimale, ndërsa për trajnerin nga Kroacia më e rëndësishmja është që të vendosen standarde të nivelit më të lartë dhe që qasja ndaj punës të jetë e duhura.

Për secilin trajner të ri në Kroaci është privilegj drejtimi i Hajdukut, që njihet për bazën shumë fanatike të tifozëve. Presioni te Hajduku po ashtu është shumë i madh për të gjithë trajnerët. Tifozët dhe të gjithë në Split e në Dalmaci janë shumë kërkues.

“Ta drejtoj Hajdukun për mua si dalmacias sigurisht që është shumë krenari. Secili klub ka të veçantat e tij. Përvoja është e tejçmueshme, por fokusi im është plotësisht te Ballkani. Nuk shikoj prapa”, ka thënë Karoglan.

Ndonëse i lindur e i rritur në Kroaci, ai luajti dy ndeshje për U21 të Bosnjë-Hercegovinës. Atëbotë bënte karrierë në Bosnjë dhe pranoi ftesën për të luajtur për Shpresat e këtij vendi.

Futbolli kosovar ka nisur të njihet e të pranohet gjithnjë e më shumë. Edhe ardhja e Karoglanit e dëshmon këtë.

“Disa klube të Kosovës, publiku kroat i ka njohur nga ndeshjet evropiane. Futbolli i Kosovës njihet edhe përmes lojtarëve si Rrahmani, Hoxha, Dellova, Sahiti, e tani edhe përmes reprezentacionit që po rritet gjithnjë e më shumë. Me këtë rast i dëshiroj kualifikim në Kampionat Botëror. Kjo do të ishte shumë e mirë”, ka thënë Karoglan.

Ballkani ka përjetuar me Ilir Dajën periudhën më të suksesshme në histori. I fitoi tre tituj të kampionit dhe luajti dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës. 

Me Karoglanin, te Ballkani shpresojnë se do të nisin tjetër periudhë dominimi e shkëlqimi.