Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kapitenia Memeti: Duam t’ia heqim Kroacisë rolin e favorites

Erëleta Memeti

Kroacia vlerësohet favorite e Grupit 2 të Ligës C të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027 për futbolliste. Kosova vlerësohet favoritja e dytë, të paktën në bazë të ndarjes së ekipeve nëpër vazo për short.

Tri ditë më parë, Kosova “e rrahu” 6:0 Gjibraltarin në Prishtinë, kurse Kroacia fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Bullgarisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Të shtunën prej orës 17:00, Kroacia e Kosova përballen në Karlovc. Futbollistet e Kosovës kanë udhëtuar me optimizëm për në Kroaci, por po ashtu janë të vetëdijshme për sfidën që i pret.

Lojtarja ofenzive, Erëleta Memeti, është kapitene dhe lidere e pakontestueshme e Kosovës. Ajo bën karrierë të suksesshme në Bundesligë të Gjermanisë. Në fitoren 6:0 ndaj Gjibraltarit, 26-vjeçarja shënoi njërin prej golave. 

Të premten për KOHËN, Memeti ka thënë se dëshirojnë t’ia heqin Kroacisë “rolin” e favorites.

“Ndeshja në Kroaci është krejt tjetër prej asaj me Gjibraltarin. Jemi përgatitur mirë, kemi pasur grumbullim më të gjatë dhe kemi punuar gjëra të vlefshme. Ndaj Kroacisë duhet të jemi gati që të bëjmë gjëra krejtësisht ndryshe në krahasim me ndeshjen e parë. Për shembull me Gjibraltarin nuk kemi mundur të bëjmë presion lart, pasi lojtaret e kësaj përfaqësueseje na kanë dorëzuar menjëherë topin. Tani duhet të jemi gati që të luajmë pa e pasur shumë topin në këmbë. Ka edhe shumë gjëra tjera që i dallojnë të dy ndeshjet”, ka thënë kapitenia Memeti.

Ajo thotë se jo gjithnjë ekipet favorite fitojnë në futboll.

“Shumë ekipe që në letër janë favorite, nuk fitojnë në fushë. Është e vërtetë që në grupin tonë Kroacia është favorite, por ne duam t’ia heqim këtë. Natyrisht, në fushë nuk futemi me stres. Dalim për të dhënë më të mirën e mundshme, të luajmë lojën tonë dhe në fund të shohim se si do të jetë”, ka theksuar futbollistja e Eintracht Frankfurtit.

Memeti është golashënuesja më e mirë e Kosovës. Është po ashtu lojtarja që luan në nivelin më të lartë.

Gjibraltari ka debutuar në kualifikime dhe vlerësohet përfaqësuesja më e dobët në kampanjën kualifikuese për Botërorin 2027.

Për këtë Memeti kërkon që të mos merret shumë për bazë rezultati i takimit me Gjibraltarin.

“Natyrisht, të shënosh gjashtë gola të jep një energji pozitive. Ne duhet të marrim atë energji për ndeshjen në Kroaci. Por nuk ishte kundërshtar i nivelit tonë dhe nuk guxojmë që tani ta festojmë atë fitore tre muaj. Tani i gjithë fokusi duhet të jetë në ndeshjen e dytë. Duhet të fokusohemi maksimalisht dhe të kërkojmë fitoren edhe në Kroaci. Natyrisht, synimi gjithnjë është fitorja. Nëse do të ishte ndryshe, nuk ia vlen as të dalim në fushë”.

Kosova e Kroacia janë përballur dy herë deri më tani, në vitin 2024. Më 31 maj, Kroacia fitoi 1:0 në Podujevë. Ndërkohë më 4 qershor, kroatet fituan 2:0 në Karlovc. Ato ndeshje i takuan kualifikimeve për Euro 2025. 

Tani është cikël i ri kualifikues dhe Kosova ka synime të tjera.

Prej Ligës C, kualifikimi direkt në Botëror nuk është i mundur. Ekipi që fiton grupin kualifikohet në plejof, kurse avancimi në plejof është i mundshëm edhe prej pozitës së dytë.