(KD) – Kampioni i Danimarkës në futboll, Copenhageni, ka zhvilluar stërvitje të hënën. Por stërvitjen e mbajti në Danimarkë e më pas ekipi udhëtoi për në Prishtinë, ku të martën e zhvillon ndeshjen e kthimit të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Përballë Copenhagenit do të jetë kampionia e Kosovës, Drita. Ndeshja zhvillohet prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe transmetohet në KTV.
Copenhageni nuk ka zhvilluar stërvitje në Prishtinë e po ashtu danezët nuk kanë planifikuar konferencë për shtyp. Në faqen zyrtare të klubit është publikuar një deklaratë e trajnerit.
Lojtarët dhe trajnerët e kësaj skuadre ua bënë një vizitë të shkurtër stadiumit në orët e mbrëmjes të së hënës.
Copenhageni ka fituar 2:0 ndeshjen e parë me Dritën dhe llogaritet favorit i madh për të avancuar në raundin e tretë kualifikues të Championsit. Ndeshja e parë ishte luajtur të martën e kaluar në Kopenhagë, në praninë e 17 mijë e 897 shikuesve.
Ndonëse ka rezultat të favorshëm nga ndeshja e parë, kampioni danez synon tjetër fitore para tifozëve kosovarë.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi të disiplinuar dhe të kontrolluar, e po ashtu që të ruajmë ekuilibrin”, ka thënë trajneri Jacob Neestrup.
Ai pret që të krijohet hapësirë për lojtarët danezë nga mënyra e lojës së Dritës.
“Duhet të jemi të mirë në lojën e tyre të gjatë, si në thellësi ashtu edhe para mbrojtësve tanë të qendrës. Duhet të jemi të mirë edhe në hapje të lojës me tranzicionet tona. Nëse vendasit janë pasivë në presionin e tyre, atëherë ne duhet të bëjmë shumë pasime në ata që luajnë lart. Duhet ta bëjnë këtë në një pikë, nëse jo nga fillimi. Më pas ne duhet të shfrytëzojmë hapësirën që përfundimisht do të mbetet prapa tyre”, ka shtuar Neestrup.
Ai ka pranuar se nuk është e lehtë të luhet kundër Dritës.
“Është një kundërshtar që mund të bëhet pak bezdisës që të luhet kundër tij. Për këtë arsye duhet të sigurohemi që të përqendrohemi maksimalisht në lojë, siç bëmë në ndeshjen e parë në ‘Parken’. Ne jemi ekipi që kemi rezultatin dhe luajmë para së gjithash për ta fituar ndeshjen”, ka shtuar Neestrup.
Copenhageni ka 12 ndeshje garuese pa humbje. Në fundjavë fitoi 2:0 në kuadër të xhiros së dytë të kampionatit danez. E kishte fituar edhe ndeshjen e xhiros së parë.
Copenhageni ka udhëtuar me 23 futbollistë për në Prishtinë. Për shkak të lëndimeve mungojnë Oliver Hojer, Alex Runarsson dhe Junnosuke Suzuki. Mungon edhe Viktor Claesson, që është i sëmurë.