Futboll

“Kalimi në PSG do të ishte i gabuar për Jasharin”

Ardon Jashari

Ardon Jashari ka pasur edicion të shkëlqyer në Belgjikë te Club Brugge. Është shquar me paraqitje në mesin e fushës dhe shpejt pritet ta bëjë hapin tutje në karrierë. Për reprezentuesin e Zvicrës tashmë po interesohen shumë skuadra të mëdha evropiane. Ndër të tjera edhe Paris Saint-Germaini, gjiganti francez që po bëhet gati për finalen e Ligës së Kampionëve.

Parisi e fiton pa telashe titullin e kampionit në Francë. Ka kohë që është në kërkim të lavdisë evropiane, ndërsa rast të artë do të ketë më 31 maj në Munih, ku e luan finalen e Championsit ndaj Interit.

Por a është kalimi në këtë moment i Jasharit te Parisi hap i duhur në karrierë? 

Vlerësimet janë të ndryshme. Kalimi te një top-skuadër evropiane është gjithnjë joshës për futbollistët cilësorë. Në Zvicër megjithatë bëjnë pyetje nëse 22-vjeçari është plotësisht gati për një klub kaq të madh. Jashari deri në verën e kaluar luajti për Luzernin në Zvicër. Club Brugge është nivel më i lartë se Luzerni, por nuk mund të krahasohet me PSG-në.

“PSG-ja mund të jetë lëvizje e gabuar për momentin. Ai vërtet ia doli te Brugge, është lider i vërtetë dhe ka pasur stinor fantastik”, ka thënë analisti i futbollit në Zvicër, Mladen Petriq. 44-vjeçari është rritur në Zvicër, por ka luajtur plot 45 ndeshje për Kroacinë dhe i ka shënuar 13 gola. Ka luajtur për Dortmundin, Hamburgun, Fulhamin, West Hamin e Panathinaikosin, ndër të tjera.

Ai vlerëson se për Jasharin është ende herët të transferohet te Parisi.

“Ai me gjasë do të humbte shumë nëse përnjëherë e gjen veten në stol”, ka vazhduar Petriq. Ai preferon që Jashari të qëndrojë edhe një vit në Belgjikë, të konfirmojë formën e mirë dhe më pas të transferohet te ndonjë top-klub.

Emri tjetër i futbollit zviceran, Alex Frei, po ashtu ka folur për Jasharin.

“Së pari duhet ta pyesin Jasharin se sa komod është te Brugge. Çfarë përgjegjësish mund të marrë atje? Për shembull nëse do të gradohet në kapiten. Në këtë rast do të ishte vend i duhur për një apo dy vjet të tjera”, ka thënë Frei, shkruan “bluewin.ch”.

Legjenda zvicerane preferon një hap të ndërmjetëm para transferimit te Parisi.

“Për shembull Bayer Leverkuseni, para se të kalonte te Top-5 në botë”, ka shtuar Frei. Ai thotë se gjithnjë ka zgjedhur klubet ku ka mundur të luajë rregullisht. Sipas tij, e rëndësishme është që të luhet rregullisht.

Jashari me Bruggen arriti në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve, fitoi Kupën e Belgjikës dhe është në garë për titull të kampionit. Shpejt mund të luftojë për trofe evropianë me fanellën e Parisit.