Ardon Jashari mendon se mund të luajë në pozita të ndryshme për Milanin. Në konferencën e parë për media të enjten, Jashari ka folur hapur për negociatat e “vështira” midis kuqezinjve dhe ish-ekipit të tij Club Brugge, privilegjin të luajë përkrah Luka Modriqit.
23-vjeçari iu bashkua Milanit nga Club Brugge për 37 milionë euro në gusht, duke u bërë transferimi më i shtrenjtë në Serie A këtë afat kalimtar.
Pavarësisht tarifës së lartë, Jashari u tha gazetarëve se presioni është normal dhe se “nuk më tremb”.
Ai mendon se e ka mbështetjen e plotë të trajnerit Massimiliano Allegri.
“Ardhja në Milan është një ëndërr e bërë realitet për mua dhe familjen time”, tha Jashari në fillim të konferencës së tij për shtyp të enjten.
Ai vazhdoi, duke thënë se “është një nder ta vesh këtë fanellë”.
“Historia e Milanit flet vetë. Kaq shumë lojtarë të shkëlqyer kanë dalë nga këtu. Pirlo ishte idhulli im si fëmijë. Kur isha më i vogël, më pëlqente të shikoja Milanin dhe Barcelonën. Kam qenë në ‘San Siro’ më parë dhe mezi pres të luaj këtu”.
Negociatat midis Milanit dhe Club Brugge zgjatën me javë të tëra dhe dukej se ato mund të kishin dështuar në disa faza të verës. Si rezultat, Jashari u la të stërvitej individualisht për pjesën më të madhe të pushimit.
Duke i diskutuar negociatat midis dy palëve, Jashari tha duhej pak kohë për t’u finalizuar marrëveshja.
“Sapo unë dhe Tare i nisëm bisedimet, qëllimet e mia ishin të qarta dhe ai më dha mbështetje të vazhdueshme. E dija që do të ishin negociata të vështira. Isha një lojtar i rëndësishëm për Club Brugge. Duhej të ishim të duruar. Ia dhashë fjalën klubit. Dua gjithashtu ta falënderoj Ibrahimoviqin”.
“Sezoni im i fundit në Belgjikë ishte i mirë. U përqendrova vetëm që ta përfundoja me një notë të lartë, pastaj menaxheri im filloi të më tregonte për mundësinë për të ardhur në Milan. Presioni është normal te Milani dhe nuk më tremb. Do të punoj sa më shumë që të mundem dhe do të jap gjithçka nga vetja për ta shpërblyer besimin e klubit tek unë dhe për t’i bërë tifozët të lumtur”.
Ai synon trofe me Milanin.
“Në fushë ne duam të fitojmë, sepse është ajo që Milani e meriton. Dua të kontribuoj dhe t’ia jap energjinë time ekipit. Shpesh, ekipi që e dëshiron më shumë është ai që fiton. Ndihesha i lirë të luaja në Dublin, nuk kisha luajtur prej kohësh, por doja të lija një përshtypje të mirë. Ende kam shumë vend për përmirësim”.
Ku mendon Jashari se është pozicioni i tij më i mirë?
“Allegri do ta vendosë këtë. Kam luajtur si 6 dhe 10, sepse mund të luaj në mbrojtje ose sulm. Gjëja më e rëndësishme është të mos pësosh gol, por padyshim, më pëlqen të shënoj dhe të asistoj”, është shprehur ai.
Jashari shtoi gjithashtu se do të jetë privilegj të luajë përkrah yllit kroat të futbollit, Luka Modriq.
“Do të jetë një privilegj të luaj përkrah një lojtari të nivelit të lartë si Luka Modriq. Do ta shijoj dhe padyshim që do të më ndihmojë në zhvillimin tim”.
Ai foli edhe për interesimin që kishte shfaqur edhe rivali i Milanit, Interi.
“Doja vetëm Milanin. E di sa i rëndësishëm është derbi për tifozët, por gjëja më e rëndësishme është ta çojmë Milanin përsëri në krye”, ka thënë Jashari.