Futboll

Jashari flet për kalimin në top-skuadër evropiane dhe krahasimin me Xhakën

Ardon Jashari

Pas një viti të jashtëzakonshëm në Belgjikë, mesfushori 22-vjeçar Ardon Jashari është gati për hapin tetër në karrierë. Interesim për Jasharin kanë shfaqur top-skuadra evropiane, duke përfshirë fituesin e Ligës së Kampionëve, PSG-në.

Largimi nga Club Brugge pritet të shpejti, por Jashari është i vendosur që të bëhet i rëndësishëm edhe te Zvicra. Aktualisht është i grumbulluar me përfaqësuesen helvetike për turneun në SHBA.

Jashari u shpall lojtari më i mirë i edicionit në Belgjikë. Për mediat zvicerane ka thënë se ishte një edicion fantastik. Ai ishte transferuar në verën e kaluar nga Luzerni dhe ka pritur të luajë pak në Belgjikë në muajt e parë.

“Nuk kam pritur se gjërat do të shkojnë kaq larg për mua. Po ashtu nuk kam pritur se do të integrohem aq mirë në klub dhe me tifozët. Nëse shikoj prapa, lëvizja ishte rrugë plotësisht e duhur për mua”, ka thënë Jashari.

Ai ka shtuar se në Belgjikë çdo gjë është më profesionale se në Zvicër. Ka thënë se liga është më e shpejtë dhe më fizike. Jashari ndien se është zhvilluar me çdo ndeshje të luajtur dhe se është bërë më inteligjent. Për shkak se kishte paraqitje të mira gjithë edicionin, Jashari thotë se nuk ka të bëjë me fatin, por me zhvillimin që ka përjetuar.

Ai e fitoi Kupën e Belgjikës, që ishte trofeu i parë në karrierë. E çmon edhe faktin që tifozët e Brugge e vlerësuan më të mirin.

Futbollisti shqiptar thotë se në Belgjikë e çmojnë edhe lojtarët dhe trajnerët e ekipeve kundërshtare. Dhe kjo nuk i ka ndodhur në Zvicër.

Jashari është krenar për raportimet lidhur me të ardhmen e tij në nivelin më të lartë.

“Secili futbollist dëshiron të arrijë në majë. Nëse vjen oferta e duhur, në rregull. Por nëse gjërat vazhdojnë në Brugge, nuk brengosem po ashtu. Jam relativisht i relaksuar për atë që sjell e ardhmja”.

Ai e di që ka pasur paraqitje të mira në Ligën e Kampionëve në edicionin që përfundoi.

“Për këtë arsye e di që një top-klub në një ligë të madhe është gjë reale për mua. Por edhe në atë nivel duhet të pari të dëshmosh veten. Megjithatë e kam parë se unë mund të garoj”, ka theksuar Jashari.

Mesfushori kreativ i ka vetëm dy paraqitje për Zvicrën. Dhe në fushë i ka kaluar vetëm dy minuta.

“Të jem i sinqertë, ka pasur momente në dy-tre vjetët e fundit kur kam dashur të luaj. Por e kaluara është e kaluar. Kam shpresë që e ardhmja do të jetë më e mirë”, është optimist ylli i ri i futbollit zviceran.

Vazhdimisht Jashari vlerësohet si pasardhës i liderit të Zvicrës, Granit Xhaka. Ai është pyetur nëse kjo i bën presion.

“Jo, këto krahasime më bëjnë krenar. Por ne jemi dy tipa të ndryshëm, brenda dhe jashtë fushës. Po, dua të jem model për fëmijët në Zvicër me arritjet e mia si futbollist dhe sportist. Por për ta arritur këtë, më duhet ta dëshmoj veten sërish e sërish, brenda dhe jashtë fushës”, ka vazhduar Jashari.

 Ai ka thënë se kishte raport të mirë me Xhakën nga fillimi. Ka theksuar se kapiteni Xhaka e ka integruar në ekip.

“Edhe sot jemi shpesh së bashku dhe ulem gjithnjë pranë tij kur ushqehemi. Qartë se jam më i afërt me Granitin se me lojtarët e tjerë. Kur nuk jemi në përfaqësuese kemi kontakt herë pas here, por jo intensivisht”.

Për Xhakën, Jashari thotë se është lojtar i jashtëzakonshëm që ka arritur shumë me Zvicrën. Por shton se secili lojtar është i ndryshëm. Nuk mendon se kanë profil të njëjtë. Vlerëson se mund të luajnë të dy së bashku dhe të jenë shumë të suksesshëm.