Kalimi te Cluji rumun nga Prishtina nuk doli të jetë hap i qëlluar për mesfushorin Drilon Islami. Islami i ishte bashkuar Clujit si futbollist i lirë në korrik të vitit të kaluar. Por mesfushori 25-vjeçar nuk gjeti hapësirë te skuadra rumune dhe u largua pa debutuar në ndeshje zyrtare. Nuk e pati mundësinë për t’i shfaqur vlerat e tij në fushë. Islami e shkëputi kontratën me klubin rumun, ndërsa ditë më parë u zyrtarizua te Shkëndija e Tetovës. Ai të hënën nënshkroi kontratë për dy vjet e gjysmë. 25-vjeçari të shtunën në një intervistë për KOHËN ka sqaruar situatën që solli ndërprerjen e bashkëpunimit me Clujin. Ai ka theksuar se kjo eksperiencë ishte mësim për të.
“Pas disa edicioneve shumë pozitive në Kosovë, vlerësova se ishte momenti të provoj diçka jashtë vendit dhe vendosa të pranoj ofertën e Clujit. Në fillim gjërat ishin mirë, por pas një ndeshje kontrolluese, trajneri ndryshoi trajtimin ndaj meje. Nuk e mësova kurrë se çka ndodhi, ndoshta nuk i pëlqeva. Gjithsesi, pavarësisht se si shkuan gjërat, mendoj se edhe nga kjo eksperiencë kam marrë shumë mësime”, ka thënë Islami për KOHËN.
Mungesa e hapësirës për lojë është sfidë që prek shumë futbollistë përgjatë karrierës. Shumë prej tyre nuk janë të kënaqur me këtë, njësoj si Islami.
Por, Islami shpreson që kalimi te Shkëndija do të jetë mundësi që ai të kthehet në nivelin më të mirë.
“Sigurisht se mosaktivizimi nuk i pëlqen asnjë lojtari, posaçërisht mua që isha në një moment shumë pozitiv dhe karriera ime po shënonte ngritje. Unë shkova atje për të luajtur, gjërat nuk shkuan si prisja, prandaj edhe vendosa për të bërë tjetër lëvizje përmes së cilës unë do të mund të kthehem në nivelin tim”, është shprehur mesfushori që shquhet për vrapime e duele të shumta.
Islami e vlerëson shumë Shkëndijën e Tetovës, kampionen në fuqi të elitës së futbollit të Maqedonisë së Veriut. Për herë të parë në histori, Shkëndija e siguroi edhe pjesëmarrjen në fazën e ligës në Ligën e Konferencës. Tashmë e ka siguruar edhe plejofin e fazës nokaut. Islami tregon se çka ndikoi që ai të transferohej te “kuqezinjtë”.
“Shkëndija është ndër skuadrat më të mëdha shqiptare, me një organizim të shkëlqyeshëm. Më bindi projekti i klubit, ambiciet gjithmonë për të kërkuar tituj dhe suksese në Evropë. Profesionalizmi te kjo skuadër duket lehtë edhe nga jashtë, por kur je brenda e ndien akoma më shumë. Skuadra gjithmonë synon titullin, Kupën dhe ecuri sa më pozitive në Evropë. Synoj të kthehem në formën time optimale dhe të jap sa më shumë kontribut për Shkëndijën. Unë dua të jem mbështetje për klubin që bashkë t’i arrijmë këto objektiva”, theksoi Islami. Islami ishte prej lojtarëve më të vlerësuar në futbollin kosovar. Te Prishtina qëndroi për dy vjet. E fitoi dy herë Kupën e Kosovës. Në Kosovë është paraqitur edhe për Dritën dhe Ferizajn.