Futboll

Ish-futbollisti i Sunderlandit thur lavde për Xhakën

Granit Xhaka - Sunderland

Fakti që Sunderlandi ka arritur ta transferojë Granit Xhakën është diçka e jashtëzakonshme. Kështu e ka vlerësuar ish-futbollisti i Sunderlandit, Jermain Defoe. 

42-vjeçari Defoe thotë se Xhaka është një lojtar që ka përvojë të gjatë në futbollin evropian.

Mesfushori shqiptar në fund të muajit të kaluar u transferua te Sunderlandi nga Bayer Leverkuseni për 20 milionë euro. Me klubin anglez ka firmosur për tri vjet.

“Kam folur vazhdimisht me Granit Xhakën, ai më dërgoi mesazhe duke më pyetur për vende ku të jetoja dhe gjëra të tilla. Ai duket shumë i emocionuar dhe ky është një transferim i madh, ai është një lojtar me përvojë. Ai e di çfarë duhet, ka fituar trofe dhe është një lider. Fakti që kemi arritur ta marrim atë është i jashtëzakonshëm. Ai sjell kaq shumë brenda dhe jashtë fushës”, u shpreh anglezi Defoe, shkruan të hënën “Chroniclelive”. 

Defoe për Sunderlandin luajti në dy periudha të ndryshme. Fillimisht u paraqit nga viti 2015 deri në vitin 2017. Më pas luajti edhe në vitin 2022.

Ai zhvilloi 100 ndeshje, realizoi 37 gola dhe bëri tri asistime.