Futboll

Interi synon t’i shfrytëzojë telashet e Liverpoolit

Inter

Foto: Associated Press

Inter – Liverpool vlerësohet ndeshja kryesore e të martës në Ligën e Kampionëve. Të martën e të mërkurën janë ndeshjet e xhiros së gjashtë të fazës së ligës në Champions.

Interi është i katërti në tabelë me 12 pikë. Pas katër fitoreve radhazi në xhiron e kaluar pësoi nga Atletico Madridi me 2:1. Kampioni në fuqi i Anglisë, Liverpooli, është i 13-ti me nëntë pikë.

Liverpooli ka pasur telashe me rezultate në javët e fundit. Dhe telashet vetëm sa janë rritur për skuadrën e Arne Slotit. Ylli i Liverpoolit, Muhamed Salah, kritikoi klubin të shtunën, duke thënë se e “ka hedhur nën autobus” dhe se ka prishur raportet me trajnerin Slot. Salah të hënën ushtroi me skuadrën, por nuk u përfshi në delegacion për udhëtim në Milano. Pra nuk do të luajë në ndeshjen që zhvillohet të martën nga ora 21:00.

Këtë situatë do të mundohet ta shfrytëzojë skuadra italiane, që shpreson të kthehet te fitorja në Champions.

“Interi e ka shfaqur flamurin italian kudo në botë. Nuk i siguroni dy finale të Ligës së Kampionëve dhe një finale të Ligës së Evropës brenda pesë vjetësh shumë lehtë. Ato arritje duhet të festohen. Një ekip italian që luan në këtë mënyrë meriton lëvdata, pavarësisht rezultateve”, ka thënë trajneri i Interit, Christian Chivu.

Sulmuesi i Interit, Marcus Thuram, ka theksuar se do të përballen me një ekip të shkëlqyer me shumë kampionë pjesë të tij.

“Kur ka dyshime, të gjithë duan të dëshmojnë diçka. Të gjithë thonë se është kohë e mirë për t’u përballur me Liverpoolin, por unë nuk mendoj kështu”, ka thënë Thuram.

Në konferencën për shtyp të Liverpoolit, natyrisht është folur më së shumti për Salahun. Trajneri Arne Slot ndien se autoriteti i tij nuk është cenuar. Lidhur me deklaratën e Salahut, Slot ka theksuar se duhet ta dijë çka ka menduar sulmuesi kur e ka dhënë atë.

“Ai ka të drejtë të ndihet ashtu si ndihet, por nuk ka të drejtë të flasë për këtë në media. Nuk ndiej që raporti ynë është prishur, por ai ka të drejtë të ndiejë atë që ndien. Zakonisht lojtarëve që nuk aktivizojnë nuk u pëlqejnë trajnerët. Mo ishte i respektueshëm ndaj stafit dhe ishte befasi për mua kur ai dha ato komente. Nuk jam i sigurt nëse ishte emocional apo jo, por reagimi im është i qartë. Ai nuk është me ne sonte”, ka thënë Slot.

Ndeshja e parë e së martës në Champions është ajo mes Kairat Almatyt dhe Olympiacosit, që fillon në ora 16:30. Prej orës 18:45 është ndeshja Bayern – Sporting.

Nga ora 21:00 janë edhe takimet Atalanta – Chelsea, Barcelona – Eintracht Frankfurt, Monaco – Galatasaray, PSV – Atletico Madrid, Royale Union – Marseille, Tottenham – Slavia Pragë.