Futboll

Interi kërkon vazhdimësinë pozitive në Serie A

Inter

Pas 22 xhirove të luajtura në Serie A, Interi i prin renditjes me 52 pikë.

“Nerazurrët” janë të pamposhtur në dhjetë ndeshjet e fundit në kampionat. Kanë nëntë fitore dhe një barazim. Disfata e fundit që Interi e ka pësuar në elitë është më 23 nëntor të vitit të kaluar nga Milani. Kjo është edhe humbja e vetme deri më tani këtë edicion.

Interi kërkon ta vazhdojë ecurinë e mirë të rezultateve, derisa të dielën nga ora 18:00 do të luajë në udhëtim tek Cremonese.

Cremonese ka 23 pikë dhe e zë vendin e 14-të. Cremonese këtë edicion ka pesë fitore, tetë barazime dhe nëntë humbje.

Ndërkohë xhiroja e 23-të do të ofrojë edhe disa ndeshje interesante.

Kampioni në fuqi i Italisë, Napoli, të shtunën nga ora 18:00 e pret Fiorentinën.

Napolitanët renditen në pozitën e katërt me 43 pikë. Fiorentina është në pozitën e 18-të me 17 pikë. Po lufton për mbetje në elitë.

Rezultatet negative në ndeshjet e fundit kanë bërë që Napoli të mbetet prapa në garën për titull kampioni. Në pesë ndeshjet e fundit në elitën italiane ka një humbje, tri barazime dhe një fitore.

Napoli, që drejtohet nga trajneri Antonio Conte, u befasua të mërkurën pasi u eliminua nga “Championsi”. U mposht nga Chelsea dhe e përfundoi fazën e ligës në vendin e 30-të.