Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur për transmetuesin televiziv “DAZN” të dielën. Ndër të tjera Tare foli për mesfushorin shqiptar, Ardon Jashari, si dhe për situatën me lojtarët e tjerë.
Ai ka theksuar se ka “pritshmëri të larta” për mesfushorin që përfaqëson Zvicrën.
“Kemi pritshmëri të mëdha për të, pasi në sezonin e kaluar ai ka bërë disa paraqitje të jashtëzakonshme. Ai kishte një incident në fillim të sezonit që e la jashtë fushës për katër muaj. Ka bërë punë të mirë në dy muajt e fundit, ka luajtur në Kupën e Italisë dhe në Superkupë, dhe e ka konfirmuar se e ardhmja e tij është te Milani”, ka deklaruar Tare.
Jashari luajti për herë të parë si titullar në Serie A të dielën, në barazimin 1:1 me Fiorentinan në udhëtim.
Tare e ka përmendur edhe portierin Mike Maignan, për të cilin ka thënë se dëshiron ta vazhdojë kontratën. Është shprehur i lumtur edhe me pjesën tjetër të ekipit.