Chelsea e ka pësuar humbjen e gjashtë rresht në Premier League.
Të hënën në “Stamford Bridge”, Chelsea u mposht 3:1 nga Nottingham Foresti, në ndeshjen e xhiros së 35-të të elitës angleze.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSeria prej pesë humbjeve i kushtoi me shkarkim Liam Roseniorit. Me trajnerin e përkohshëm, Calum McFarlane, Chelsea e mposhti Leedsin në kuadër të Kupës FA. Por kthimi në Premier League solli kthimin te humbjet. Së fundi në Premier League, Chelsea ka fituar më 4 mars. Prej atëherë humbi 1:0 nga Newcastle, 3:0 nga Evertoni, 3:0 nga Manchester City, 1:0 nga Manchester Unitedi dhe 3:0 nga Brightoni.
Të hënën, më në fund, realizoi gol, por që nuk ishte mjaftueshëm as për së afërmi.
Taiwo Awoniyi shënoi që në minutën e dytë për Nottinghamin. Igor Jesus realizoi penallti në minutën e 15-të për 2:0.
Në minutat shtesë të pjesës së parë erdhi te një përplasje e rrezikshme kokë më kokë e lojtarit 18-vjeçar të Chelseat, Jesse Derry dhe 19-vjeçarit të Nottinghamit, Zach Abbott. Të dy u zëvendësuan, ndërsa Derry u dërgua në spital për shkak të përplasjes së rëndë.
Për Chelsean u dha penallti, por Cole Palmer nuk e konkretizoi në gol.
Nottinghami shënoi për 3:0 në minutën e 52-të. Sërish shënoi Awoniyi. Fare në fund, në minutën e 93-të, Joao Pedro shënoi golin për Chelsean.
Chelsea është vetëm i nënti me 48 pikë.
Nottinghami shënoi fitore shumë të rëndësishme në garën për ekzistencë. Doli në vendin e 16-të me 42 pikë. Tottenhami i ka 37 pikë në pozitën e 17-të, ndërsa West Hami është i 18-ti me 36 pikë. Pozita e 18-të dërgon në kategorinë e dytë.