Futboll

Hoxha dëshmoi vlerat, por premton edhe më shumë për Kosovën

Veldin Hoxha

Ndeshja ndaj Suedisë mund të vlerësohet debutim i vërtetë për Veldin Hoxhën te Kosova.

Mesfushori 22-vjeçar u paraqit në përbërjen bazë, ndërsa ishte prej më të vlerësuarve. E bëri asistimin për golin e shënuar nga Fisnik Asllani, ndërsa kreu shumë punë në mesin e fushës.

Ai luajti përkrah Leon Avdullahut dhe dëshmoi që është përforcim i vlefshëm për "Dardanët".

Hoxha është i lindur dhe i rritur në Kroaci, kurse ka luajtur për të rinjtë e Kroacisë.

Në verë pranoi që të luajë për Kosovën. U paraqit fare në fund ndaj Suedisë më 8 shtator në Prishtinë.

Ndërkohë ishte në stol ndaj Zvicrës më 5 shtator dhe ndaj Sllovenisë, të premten e kaluar.

Ai është shumë i lumtur për fitoren ndaj Suedisë, që rrit ndjeshëm gjasat e Kosovës për paraqitje në plejofin e kualifikimeve për Botërorin 2026.

"Jam i lumtur se si shkojë. Jam shumë i lumtur që pikërisht në këtë ndeshje jam paraqitur nga fillimi. Një ndjenjë e pabesueshme", ka thënë Hoxha të martën për KOHËN.

Ai ka folur derisa po kthehej në Rusi ku luan për Rubin Kazanin.

Te Suedia ka yje të mëdhenj të Premier Leagues si Alexander Isak e Viktor Gyokeres. Por Kosova fitoi dy herë ndaj kësaj përfaqësueseje.

"Ishte vërtetë mirë. Një përvojë e bukur të përballesh me gjithë ata lojtarë, që deri më tani i kam parë në televizion. Përnjëherë jam në fushë me ta, kundër tyre dhe vërtetë një ndjenjë e shkëlqyer", ka shtuar mesfushori.

Ai është i vetëdijshëm që Kosova është në pozitë të mirë për ta siguruar plejofin. Thotë se dy xhiro para fundit, pozita në tabelë është shumë e mirë.

Në Goteborg, Kosova kishte përkrahje të madhe.

Hoxha ka falënderuar shikuesit për këtë.

"Na kanë ndihmuar shumë gjatë gjithë kohës. Na kanë përkrahur gjithë kohën dhe ajo që më gëzon më së shumti është që ku do që luajmë si mysafirë kam ndjenën sikur luajmë në shtëpi. Kjo bëhet e mundur nga numri i madh i shikuesve që vijnë".

Veldin Hoxha është i lumtur që ka vendosur për Kosovën dhe që paraqitja e tij ndaj Suedisë po çmohet. Por ai thotë se rëndësi ka grupi e jo lojtarët individualë.

"Të gjithë jemi lojtarë të rëndësishëm. Të gjithë jemi sikur një në ekip. Kemi atmosferë të shkëlqyer, lojtarë të shkëlqyer. Nuk ndahemi në atë se kush sa është i rëndësishëm. Të gjithë jemi njëjtë të rëndësishëm", ka thënë Hoxha.

Ai tashmë po shikon drejt sfidave të reja, por pranon se ndeshja me Suedinë do t'i mbetet gjithnjë në kujtesë.

"Për mua ishte ndeshja e parë e vërtetë. Ende më duhet të dëshmohem. Ndeshja tashmë i takon të kaluarës, por më duhet të jem i sinqert dhe të them që jam shumë i lumtur për të", ka theksuar Hoxha.

Ai tashmë është konkurrent i fortë për mesfushë, bashkë me Avdullahun, Elvis Rexhbeçajn dhe të tjerët.