Futboll

Hjulmand, trajner i ri i Leverkusenit

Kasper Hjulmand

Një javë pasi e shkarkoi Erik ten Hagun, Bayer Leverkuseni të hënën ka njoftuar për emërimin e trajnerit të ri.

Danezi Kasper Hjulmand është emëruar shef i shtabit teknik te nënkampioni gjerman.

Hjulmand ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Leverkusenin.

Holandezi Ten Hag u shkarkua nga posti i trajnerit pas vetëm dy xhirove të Bundesligës.

Leverkuseni humbi në xhiron e parë dhe barazoi në të dytën. Me këtë rezultate nuk u ndanë të kënaqur drejtuesit e klubit gjerman dhe morën vendim që ta shkarkojnë ish-trajnerin e Manchester Unitedit.

Për 53-vjeçarin Hjulmand nuk do të jetë hera e parë që drejton një skuadër gjermane pasi në të kaluarën ka drejtuar edhe Mainzin për një vit.

Ai ka qenë edhe selektor i Përfaqësueses së Danimarkës nga viti 2020 deri në vitin 2024.

Në elitën e futbollit danez ka drejtuar edhe skuadrën e Nordsjaellandit. Në periudha të ndryshme ka qenë edhe ndihmës trajner.

“Jemi të kënaqur që kemi sjellë Kasper Hjulmandin, punën e të cilit e kemi ndjekur nga afër për një periudhë të gjatë kohore. Si rezultat, metodat e tij të stërvitjes janë të njohura për ne në klub dhe Kasper gjithashtu e njeh shumë mirë klubin tonë nga vitet e fundit”, ka thënë drejtori sportiv i Leverkusenit, Simon Rolfes.