Futboll

Hjulmand debuton me fitore te Leverkuseni

bayer leverkusen

Trajneri danez, Kasper Hjulmand, e ka nisur me fitore aventurën te skuadra e Bayer Leverkusenit. 

Leverkuseni të premten mbrëma fitoi 3:1 ndaj Eintracht Frankfurtit në shtëpi. 

Kjo ndeshje i takoi xhiros së tretë të Bundesligës gjermane. Për Leverkusenin kjo ishte fitorja e parë pas një humbjeje e një barazimi.

Hjulmand te nënkampioni gjerman e zëvendësoi Erik ten Hagun i cili u shkarkua vetëm pas dy xhirove. 

Alejandro Grimaldo në minutën e dhjetë e shënoi golin e epërsisë. Në minutën e katërt shtesë të pjesës së parë, Patrik Schick, nga penalltia realizoi për 2:0. 

Can Yilmaz Uzun e ngushtoi rezultatin në 2:1 në minutën e 52. 

Për 3:1 shënoi Grimaldo në minutën e 98-të. 

Te vendësit dy futbollist u ndëshkuan me të kuq. 

Fillimisht Robert Andrich në minutën e 58-të u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë. Ndërsa edhe në minutën e 92-të, Ezequiel Fernandez, u ndëshkua po ashtu me kartonin e dytë të verdhë. 

Leverkuseni ka katër pikë në vendin e shtatë. Frankfurti ka dy pikë më shumë në pozitën e dytë.