Fidan Aliti e Lumbardh Dellova morën lavde të shumta për paraqitjen në qendër të mbrojtjes te Kosova në fitoren 2:0 ndaj Suedisë, më 8 shtator në “Fadil Vokrri”. Kjo dyshe u formua në mungesë të Amir Rrahmanit, mbrojtësit kryesor dhe kapitenit të përfaqësueses.
Rrahmani pritet të mungojë edhe në ndeshjet e tetorit, të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026. Por përzgjedhësi Franco Foda mund të qëndrojë i qetë. Për dy pozitat qendrore të mbrojtjes tani konkurron edhe një lojtar cilësor – Albian Hajdari.
22-vjeçari është lojtar i Bundesligës, ndërsa të hënën u konfirmua se ai do të jetë në dispozicion të Kosovës që nga ndeshja e radhës. Hajdari ka debutuar për Zvicrën A, por ka vendosur që tash e tutje në nivel ndërkombëtar ta përfaqësojë Kosovën.
Ka disa javë që flitej për mundësinë që Hajdari të bashkohej me “Dardanët”. Kjo u realizua të hënën.
Ai luan në anën e majtë të pjesës qendrore të mbrojtjes. Kështu Dellova e Aliti, por edhe Rrahmani dhe mbrojtësit tjerë qendrorë do ta kenë një konkurrent të fortë për vend në përbërjen startuese. Apo, një partner të mbrojtjes.
Ndaj Zvicrës, në humbjen 4:0 më 5 shtator në Basel, në qendër të mbrojtjes startuan Rrahmani e Dellova. Paraqitja e tyre ishte e zbehtë, si e gjithë përfaqësueses. Dhe ndonëse ka lojtarë me përvojë, mbrojtja e Kosovës ka pasur nevojë për përforcime me lojtarë cilësorë, në tentim për të arritur synimin e madh – kualifikimin në Botëror apo Evropian.
Rrahmani është i vetmi prej mbrojtësve qendrorë që paraqitet në top-liga evropiane. Është pjesë e Napolit në Serie A. Aliti 31-vjeçar është pjesë e Alanyasporit në Turqi. Dellova 26-vjeçar është pjesë e CSKA Sofias në Bullgari. Ilir Krasniqi, 25-vjeçar, luan për Kolov Kovalivkan në Ukrainë.
Bundesliga, ku tani po paraqitet Hajdari, është nivel dukshëm më i lartë se këto liga.
Ardhja e Hajdarit është lëvizje e rëndësishme edhe për të ardhmen. Kosovës pas një periudhe do t’i duhet një lider i ri i mbrojtjes në vend të kapitenit Rrahmani, tani 31-vjeçar.
Hajdari është pjesë e Hoffenheimit, ku paraqiten edhe Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani. Kjo lidhje po ashtu mund të jetë e rëndësishme për ekipin përfaqësues. Avdullahu luan në mesfushë dhe po ashtu së fundi lëvizi nga Zvicra për te Kosova. Ndërkohë Asllani luan në sulm dhe po shkëlqen në Bundesligë.
Rrugëtimi i mbrojtësit Hajdari, i lindur në Binnigen të Zvicrës, është interesant. Nisi te skuadra e vogël Aesch e më pas u zhvillua te Baseli. Kishte periudhë te Juventusi e u kthye prapë te Baseli.
Zhvillimin e hovshëm e bëri me Luganon, për të cilën skuadër u paraqit në Superligën e Zvicrës. Ishte prej mbrojtësve më të mirë në edicionin e kaluar. Në verë kaloi te Hoffenheimi, ndonëse edhe Premier League ishte opsion.
Hajdari ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës. Së pari nga Zvicra A ishte ftuar në grumbullimin për Evropianin 2024. Por nuk u grumbullua pasi kishte obligime me Luganon. Më pas ishte grumbulluar për ndeshjet e nëntorit të vitit të kaluar, ndaj Serbisë dhe Spanjës, të vlefshme për Ligën e Kombeve. Qëndroi në stol. U ftua sërish në mars të këtij viti për dy miqësore. Debutoi në miqësoren ndaj Luksemburgut, më 25 mars. Në qershor nuk u ftua, ndërsa për ndeshjet e shtatorit vendosi që të fokusohej në klubin e ri.

Dhe pasi nuk ka luajtur ndeshje garuese me Zvicrën, Hajdari e kishte të drejtën e ndryshimit të përfaqësueses. Këtë situatë e shfrytëzoi maksimalisht Federata e Futbollit e Kosovës. Kryetari i saj, Agim Ademi, ka pasur biseda e takime me Hajdarin, që tashmë është pjesë e Kosovës. Një muaj më parë në drejtim të njëjtë, nga Zvicra te Kosova, lëvizi edhe Leon Avdullahu. Kjo nuk do të kalohet lehtë nga zviceranët.
Por për Kosovën e për FFK-në dhe kryetarin e saj, ardhja e Hajdarit është fitore e madhe. Nën urdhrat e selektorit Foda do të jetë një lojtar që tashmë i ka tri paraqitje në Bundesligë e plot 91 të tjera në Superligën e Zvicrës.
Kosovës i bashkohet lojtari që, me gjithë konkurrencën e madhe, është vlerësuar me të ardhme të sigurt te Zvicra, vend ku është rritur e zhvilluar.
Lidhja me vendin e prejardhjes “triumfoi” ndaj lidhjes me vendin ku u rrit dhe u zhvillua.