Futboll

Gueye kërkon falje për shuplakën, trajnerët nuk kundërshtojnë rrahjen mes bashkëlojtarëve

Idrissa Gueye

Idrissa Gueye ka kërkuar falje pasi u përjashtua me të kuq për goditjen me shuplakë të bashkëlojtarit Michael Keane në fitoren 1:0 të Evertonit ndaj Manchester Unitedit, të hënën mbrëma. Skena e minutës së 13-të bëri bujë. Pas një keqkuptimi të lojtarëve të Evertonit, Manchester Unitedi rrezikoi portën e kësaj skuadre. Gueye i është afruar mbrojtësit Keane dhe derisa diskutonin e shtyheshin, e ka goditur me shuplakë. Arbitri menjëherë e përjashtoi me të kuq Gueyen, ndërsa më pas është dashur ndërhyrja e portierit Jordan Pickford për ta larguar mesfushorin.

Gueye është 36-vjeçar dhe ka luajtur për PSG-në në të kaluarën. Ai ka kërkuar falje në zhveshtore, sipas lojtarëve të tjerë të Evertonit, e më pas edhe përmes rrjeteve sociale. Ai mori përgjegjësinë për incidentin. 

“Së pari dua t’i kërkoj falje bashkëlojtarit tim Michael Keane. E marr përgjegjësinë e plotë për veprimin. U kërkoj falje edhe bashkëlojtarëve, stafit, tifozëve dhe klubit. Ajo që ndodhi nuk reflekton atë që jam dhe vlerat të cilave iu përmbahem. Emocionet mund të jenë të mëdha, por asgjë nuk arsyeton një veprim të tillë. Do të sigurohem që ajo të mos ndodhë asnjëherë më”, ka shkruar Gueye.

VIDEO:

Ikonat e Premier Leagues, Gary Neville dhe Jamie Carragher nuk janë pajtuar me kartonin e kuq, duke e vlerësuar ndëshkimin si shumë të rëndë. Ndonëse Evertoni për kohë të gjatë ishte me një lojtar më pak, arriti fitore të vlefshme në “Old Trafford”. Është vlerësuar përkushtimi i lojtarëve të kësaj skuadre.

Në Premier League ka pasur edhe raste të tjera kur janë rrahur bashkëlojtarët. Por vetëm për herë të tretë për këtë një lojtar është përjashtuar me të kuq. 

Trajneri i Evertonit, David Moyes, po ashtu nuk është pajtuar me kartonin e kuq. Por ai ka thënë se i pëlqen kur lojtarët e tij rrihen mes vete.

“A dini diçka, më pëlqen shumë kur lojtarët e mi rrihen”, ka thënë Moyes pas ndeshjes. “Në një mënyrë po them se dua që ata të jenë të fortë. Nuk dua që ata të pranojnë që dikush nuk po paraqitet mjaftueshëm mirë, që dikush nuk bëri gjënë e duhur. Nëse doni një ekip fitues dhe atë qëndrueshmëri dhe ashpërsi që na solli rezultatin, duhet të keni lojtarë që do të sillen në atë mënyrë”, ka shtuar trajneri skocez.

Moyes ka thënë se kërkimfalja nga Gueye është pranuar dhe se tani shikojnë përpara.

Trajneri i Manchester Unitedit, Ruben Amorim, ka thënë se shpreson që lojtarët e tij të rrihen mes vete. Ai është pajtuar me Moyesin se incidenti Gueye – Keane ka shfaqur shenja të dëshirës së madhe tek Evertoni. Një shpirt të tillë luftarak ai dëshiron ta shohë edhe tek Unitedi.

“Të rrihesh nuk është gjë e keqe. Rrahja nuk do të thotë se ata nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin. Rrahja ka të bëjë me atë që ke humbur topin ‘dhe do të rrihemi pasi do të pësojmë gol’. Shpresoj që lojtarët e mi, kur e humbin topin, do të rrihen mes vete”, ka thënë Amorim.