Futboll

Guardiola: Haalandi është pak më i mirë se Isaku

Guardiola

Trajneri Arne Slot i Liverpoolit ka nxitur një debat për të cilin është duke u folur shumë në Angli.

Holandezi pas transferimit të sulmuesit Alexander Isak, ka thënë se ai është më i miri në botë në pozitën e tij.

Por, atij i është kundërpërgjigjur menjëherë trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i cili ka theksuar se Erling Haaland është “pak më i mirë” se ai.

Isak u transferua te Liverpooli në këtë afat kalimtar veror për 150 milionë euro, pas shumë telasheve që ai kishte me Newcastle Unitedin, që nuk e lejonte lirimin e tij.

“Isak është i jashtëzakonshëm. Por, nuk do ta shkëmbeja Erlingun me asnjërin. E njoh atë, më pëlqen”, ka deklaruar Guardiola.

Pas dy humbjeve rresht nga Tottenhami dhe Brightoni, Guardiolës i duhet që Haaland të jetë në formën më të mirë në derbin ndaj Manchester Unitedit, që luhet të dielën nga ora 17:30.

Haaland në Premier League ka shënuar 88 gola në 100 paraqitje për Cityn prej vitit 2022.

Isak mund të debutojë për “të kuqtë” ndaj Burnleyt të dielën. 25-vjeçari ka realizuar 54 gola në 86 ndeshje në Premier League për Newcastlen.