Futboll

Gruaja që shantazhoi Sonin dënohet me katër vjet burg

Son Heung-min

Një gjykatë në Korenë e Jugut e ka dënuar një grua që shantazhoi yllin e futbollit, Son Heung-min, me katër vjet burg. 

Gruaja në të njëzetat dhe bashkëpunëtori i saj, në të katërdhjetat, u shpallën fajtorë për shantazh ndaj ish-kapitenit të Tottenhamit. Gruaja kishte thënë se është shtatzënë me fëmijën e jugkoreanit të njohur. 

Ajo ia zhvati futbollistit 200 mijë dollarë amerikanë dhe e kërcënoi se do ta bënte publike akuzën nëse ai nuk do të paguante.

Gruaja i shpenzoi paratë për gjëra luksoze. 

“Gruaja këmbëngul se i mori paratë si kompensim dhe e portretizon veten si viktimë”, i thanë prokurorët gjykatës të hënën. “Por pretendimet e saj nuk përputhen plotësisht me faktet”.

Prokurorët thonë se ajo ka planifikuar “krim të plotë”.

Bashkëpunëtori i gruas, i cili e kishte kërcënuar Sonin 15 herë për të marrë paratë, u dënua me dy vjet burg për tentativë shantazhi.

Kur gruaja dhe bashkëpunëtori i saj i kërkuan më shumë para këtë vit, Soni shkoi në polici.

Sipas gjyqtarit, futbollisti Son kishte kaluar “ankth të fortë mendor” pasi rasti doli në media.

33-vjeçari në gusht u largua nga Tottenhami pas dhjetë vjetësh. U transferua në SHBA te skuadra Los Angeles. U bë transferimi më i shtrenjtë në histori të MLS-së, ndërsa është lojtari i dytë më i paguar.

Ai gëzon popullaritet të madh në Kore të Jugut dhe vendet tjera aziatike.