Futboll

Grealish kontribuon me dy asistime në fitoren e Evertonit

Everton Fc

Jack Grealish ishte prej më meritorëve që Evertoni të dielën pasdite i arkëtoi tre pikët e para në edicionin e ri në Premier League. 

Evertoni në kuadër të xhiros së dytë të elitës angleze të futbollit fitoi 2:0 në shtëpi ndaj Brightonit. Në të dy golat e Evertonit, asistoi sulmuesi i krahut, Grealish. 

Fillimisht anglezi Grealish asistoi te goli i parë të cilin e realizoi Iliman Ndiaye në minutën e 23-të. Ai asistoi edhe te goli i fundit në minutën e 52-të. Realizatori i golit ishte James Garner. 

Brightoni kishte mundësinë që në minutën e 77-të ta ngushtojë rezultatin në 2:1 por sulmuesi Danny Welbeck e humbi penalltinë.

Te mysafirët nga minuta e 86-të në lojë u inkuadrua sulmuesi shqiptar, Brajan Gruda. 

Për Evertonin ishte fitorja e parë pasi në ndeshjen hapëse të sezonit të ri u mposht nga Leeds Unitedi me rezultatin 1:0. 

Brightoni në xhiron e parë barazoi në shtëpi 1:1 me Fulhamin.