Më 1 tetor të vitit 2023, Emir Sahiti ishte hero i Hajdukut të Splitit në derbin ndaj Dinamos së Zagrebit. Futbollisti i Kosovës, Sahiti, kishte realizuar gol të bukur në “Poludin” e stërmbushur me shikues. Hajduku i Splitit kishte fituar 1:0. Ishte pikërisht goli i Sahitit që e kishte vendosur sfidën e skuadrave më të mëdha kroate.
Gola ndaj Hajdukut të Splitit kishte shënuar edhe Arijan Ademi, kapiteni legjendar i Dinamos. Ai kishte shënuar në fitoren 4:1 në “Maksimir” më 13 tetor të vitit 2022. E kishte vendosur edhe rezultatin përfundimtar në “Polud” më 4 mars të vitit 2020.
Për skuadrën më të suksesshme kroate, Dinamon e Zagrebit, të shtunën shkëlqeu edhe Arbër Hoxha. Dinamo e Zagrebit fitoi 2:0 në “Polud” para 32 mijë të pranishmëve, në ndeshjen e xhiros së shtatë. Goli i Hoxhës ndërkohë u vlerësua jashtëzakonisht shumë. Hoxha pranoi top në gjysmën e fushës. La prapa tre futbollistë kundërshtarë, iu afrua zonës dhe gjuajti në mënyrë të përkryer për 1:0. Ishte gol që i hapi rrugë Dinamos për pikë të reja në kampionatin elitar kroat. Dinamo e Zagrebit prin në tabelë me 16 pikë, tri më shumë se Hajduku i Splitit.
Trajneri Mario Kovaçeviq e arriti fitoren e parë në derbi. Dhe e ka vlerësuar si fitoren më të madhe në karrierë.
Pas ndeshjes, ai e ka komentuar edhe golin e shënuar nga Hoxha.
“E kemi parë se Hajduku ishte i kujdesshëm për shkak të rezultatit të dobët nga ndeshja e kaluar. Kemi ardhur këtu për fitore, nuk donim të mbroheshim. E dinim se Hajduku ka kualitete dhe kishte periudha kur ata dominuan. E kishim ne shansin e parë por portieri bëri pritje të shkëlqyer. Kur Hajduku nisi dominimin ndaj nesh, ne realizuam gol. Kjo është ajo që e presim nga Hoxha, për këtë arsye ai luajti aty. Ishte gol shumë i bukur që e ndryshoi ndeshjen”, ka deklaruar trajneri Kovaçeviq.
Gol të bukur realizoi edhe algjeriani Monsef Bakrar, në minutën e 80-të.
Hajduku i Splitit është skuadra e dytë më e suksesshme në futbollin kroat. I ka gjashtë tituj e tetë Kupa të Kroacisë. Dinamo e Zagrebit është dukshëm skuadra më e madhe edhe sa u përket sukseseve. Ka plot 25 tituj e 17 Kupa kroate. Te dy ekipet më të mëdha në Kroaci edhe në të kaluarën kanë luajtur disa futbollistë shqiptarë.
Gjatë viteve të 90-ta, Ardian Kozniku ka shënuar disa gola kundër Dinamos, që në atë kohë njihej me emrin HASK Gradanska. Ai ka luajtur edhe për Dinamon e Zagrebit. Kozniku vlerësohet prej futbollistëve më të mirë shqiptarë në histori. Me Kroacinë ka medalje të bronztë nga Kupa e Botës 1998.
Te Hajduku i Splitit në të kaluarën ka luajtur edhe Ardian Ismajli. Edhe Ismajli vendosi një derbi mes Hajdukut e Dinamos, por me autogol. Për epërsinë 1:0 të Dinamos, Ismajli kishte shënuar në ndeshjen që u luajt më 22 nëntor të vitit 2019. Por në fund, ndeshja ishte mbyllur 1:1.
Arber Hoxha odradio je sjajan posao i odlično pogodio za vodstvo Dinama na Poljudu!#supersport #hnl #hajduk #dinamo pic.twitter.com/hiM0smVunV
— sportnet|HR (@sportnet_HR) September 20, 2025