Kishte entuziazëm për përfaqësuesen e Kosovës në futboll në prag të fillimit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Kishte shumë arsye për këtë.
Kosova ishte në seri prej pesë fitoreve. Mesfusha u forcua me një lojtar me potencial, që bën karrierë në Bundesligë, Leon Avdullahun. Sulmuesit ishin në formë. Dihej që Kosova do të kishte përkrahje të madhe ndaj Zvicrës në Basel. Gjysma e stadiumit të premten mbrëma ishte e mbushur me përkrahës të Kosovës. Selektori Franco Foda tha se grupi ishte i konsoliduar dhe se te Kosova të gjithë lojtarët mund të zëvendësohen. Pra edhe dy “krahët” kryesorë, Milot Rashica e Edon Zhegrova.
Përfaqësuesja tashmë e ka përvojën e cikleve kualifikuese. Organizimi rreth saj vlerësohet i nivelit më të lartë. Shumë prej lojtarëve paraqiten në top-liga evropiane. Mesfusha, ku Kosova ka pasur telashe për shumë vjet, tani përbëhet nga lojtarë të Bundesligës.
Sikur gjitha këto mos të mjaftonin, Zvicra po vinte pas një cikli dëshpërues në Ligën e Kombeve. Zvicra ndërroi gjeneratën dhe prej lojtarëve të rëndësishëm mbeti vetëm Granit Xhaka.
Si në çdo fillim të fushatave kualifikuese, kishte edhe plot arsye të tjera që mbushnin me besim përkrahësit e Kosovës.
Por, në fund çdo gjë vendoset në fushën e blertë. Dhe aty u panë vetëm lojtarët e Zvicrës. Fitore 4:0 për ta. Humbje e rëndë, e për shumë kë edhe turpëruese, 4:0, e Kosovës.
Entuziazmi nuk mjaftoi. Në fushë, Granit Xhaka ishte lideri i pakontestueshëm. Organizoi çdo aksion të Zvicrës dhe me kompetencë të plotë udhëhoqi ekipin, ku është kapiten, drejt fitores bindëse. Në aspektin taktik, selektori i Zvicrës, Murat Yakin, i dha shkollë Franco Fodas. Selektori i Kosovës megjithatë nuk kishte një lider si Xhaka në fushë.
Fitorja në fakt u sigurua që në pjesën e parë. E dyta ishte formalitet.
Avdullahu, prej të cilit me gjasë pritjet ishin të tepruara, pati debutim të vështirë. Elvis Rexhbeçaj kishte ndeshje të pasuksesshme po ashtu në mesfushë. Aro Muriq nuk bëri ndonjë pritje, ndërsa gabimet e shumta të mbrojtjes që përbëhej nga Amir Rrahmani, Lumbardh Dellova, Mërgim Vojvoda e Leart Paçarada, u shfrytëzuan maksimalisht nga kundërshtarët. Vedat Muriqi, Muharrem Jashari, Ermal Krasniqi e Florent Muslija ishin të tjerët që startuan në njërën prej ndeshjeve më të rënda të Kosovës deri më tani. Pranimi i katër golave që në pjesën e parë e dëshmon këtë.
Përnjëherë, ëndrra për Botëror duket shumë e largët. Paraqitja në fushë dëshmoi pse Zvicra sipas parametrave kryesorë, ndarjes në vazo për short dhe ranglistës së FIFA-s, është favorite e grupit, e Kosova autsajdere.
Paraqitja e së premtes mbrëma në Basel ka dëshmuar që selektorin Franco Foda, përgjegjësit e përfaqësueses dhe drejtuesit e FFK-së i pret ende shumë punë për të krijuar një përfaqësuese që mund të rivalizojë Zvicrën, që shfaq nivel kur është më e rëndësishmja.
Humbja 4:0 bëhet edhe më e rëndë nëse merret për bazë fakti që tri ndeshjet e kaluara me Zvicrën përfunduan baras.
Pra, kur pritej që të bëhej hapi i madh para, të paktën sa i takon rezultatit, u bë hap gjigant prapa.
Ka dyshime nëse përfaqësuesja do të rikuperohet me kohë. Menjëherë të hënën është ndeshja tjetër sfiduese, ajo me Suedinë në “Fadil Vokrri”. Pra Foda do ta ketë vetëm një stërvitje me grup të kompletuar, marrë për bazë faktin që në ditën pas ndeshjes lojtarët startues zakonisht lihen të lirë.
Suedia barazoi 2:2 në Slloveni të premten mbrëma dhe vjen për fitore, përkatësisht për ta shfrytëzuar momentin e keq të Kosovës. Në aspektin individual, suedezët kanë cilësi dukshëm më të madhe se Zvicra. Kanë disa prej lojtarëve më të shtrenjtë në botë.
Kosova e Foda kanë vetëm telashe aktualisht. Më optimistët shpresojnë që ato të kalohen brenda natës. Por në futbollin e këtij niveli gjërat rrallë funksionojnë kështu.