Futboll

Gjilani në epërsi ndaj Lirisë së Ismet Munishit

Gjilani

Gjilani e ka mbyllur me epërsi 1:0 pjesën e parë të ndeshjes kundër Lirisë së Prizrenit.

Ndeshja që i takon 1/8 të finales së Kupës së Kosovës po luhet në fushën me bari artificial në Gjilan.

Armend Thaqi në minutat shtesë të pjesës së parë shënoi golin e epërsisë 1:0 për Gjilanin. Mbrojtësi i krahut realizoi nga penalltia.

Liria më pas shënoi gol nëpërmjet ish-lojtarit të Gjilanit, Muhamed Useini. Por me vendim të VAR-it, goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Për Munishin është debutim në krye të Lirisë së Prizrenit.

Ndërkohë, Malisheva është duke fituar 2:0 ndaj Trepçës ’89, kurse Vushtrria 1:0 ndaj Vëllaznimit.

Për Malishevën golat i shënuan, Assane Diatta në minutën e 31-të dhe Arbër Pira në minutën e 35-të.

Golin për Vushtrrinë e shënoi Erion Krasniqi në minutën e 33-të.

Gjilani, Malisheva e Vushtrria kalojnë në çerekfinale të Kupës

59 min. më parë / 12 shk 2026 15:08
Gjilani

Gjilani, Malisheva dhe Vushtrria kanë kaluar në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Tri ndeshjet e radhës të 1/8 së finales të Kupës së Kosovës në futboll, u zhvilluan të enjten.

Gjilani e eliminoi Lirinë e udhëhequr për herë të parë nga trajneri Ismet Munishi. Gjilani mposhti Lirinë e Prizrenit 2:1 në shtëpi, kurse Malisheva e fitoi 4:0 ndeshjen kundër Trepçës ’89.

Vushtrria po ashtu fitoi ndeshjen e saj në shtëpi. Mposhti Vëllaznimin 2:0.

Golin e parë për Gjilanin e shënoi Armend Thaqi nga penalltia në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë.

Për 2:0 shënoi Hamdi Namani. Për mesfushorin Namani ishte debutim me fanellën e Gjilanit. Ai shënoi me kokë në minutën e 65-të pas harkimit të kapitenit Thaqi.

Dijar Nikqi në minutën e 85-të shënoi golin e vetëm për Lirinë. Prizrenasve iu anuluan edhe dy gola për shkak të pozitës jashtë loje.

Ndërkohë, Malisheva siguroi kalimin në çerekfinale pas fitores së thellë 4:0 ndaj Trepçës ’89.

Në fitoren e Malishevës shkëlqeu Assane Diatta. Ai realizoi dy gola dhe kontribuoi me një asistim.

Ai hapi serinë e golave në minutën e 31-të. Katër minuta më vonë gol shënoi edhe Arbër Pira.

Diatta në minutën e 75-të shënoi golin për 3:0, kurse asistoi për golin e katërt të shënuar nga Valmir Nafiu në minutën e 88-të.

Në çerekfinale u kualifikua edhe Vushtrria. Vushtrriasit mposhtën Vëllaznimin e Gjakovës me rezultat 2:0.

Golin e parë për Vushtrrinë e shënoi Erion Krasniqi në minutën e 33-të, ndërsa për 2:0 realizoi Lis Demiri në minutën e 78-të.

Në çerekfinale kanë kaluar edhe Llapi, Ferizaj, Dukagjini dhe Ballkani.

Më 18 shkurt nga ora 13:00 është dueli ndërmjet Feronikelit 74 dhe Dinamos së Ferizajt.