Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Gjigantët evropianë synojnë talentin shqiptar që po shkëlqen në MLS

Adri Mehmeti

Gjigantët evropianë të futbollit, Arsenal, Chelsea, PSG, Bayern dhe Real Madridi, synojnë transferimin e talentit shqiptar, Adri Mehmeti. 

Për interesimin e gjigantëve për 17-vjeçarin kanë raportuar mediume të ndryshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shkrimet kushtuar Mehmetit janë rritur sidomos pas shkëlqimit kundër Inter Miamit të Lionel Messit.
“FussballDaten” i ka kushtuar shkrim të gjatë talentit që po shkëlqen në ligën MLS në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Pas golit që e shënoi me New York Red Bullsin ndaj Inter Miamit të Lionel Messit, më 12 prill, Mehmeti luajti edhe tri ndeshje të tjera. Të fundit e pati të enjten ndaj DC Unitedit, në barazimin 4:4. Ai i ka edhe dy asistime në nëntë paraqitje.

“Arsenali dhe Chelsea po punojnë që ta sjellin futbollistin e ri e të talentuar, për ta përgatitur për ekipin e parë. Këto skuadra mund të luajnë rol në zhvillimin e Mehmetit”, ka shkruar “FussballDaten” për futbollistin shqiptar, i cili ka kontratë me klubin amerikan deri në fund të vitit 2028. Klubi po ashtu e ka opsionin për vazhdimin e kontratës së tij edhe për një vit tjetër. 

Mehmeti luajti për 65 minuta të enjten në ndeshjen e fundit. 

Mediumi “Southwardcentral” e ka vlerësuar Mehmetin për pjekurinë dhe karakterin fitues.

“Pas ndeshjes, zhgënjimi dukej qartë në fytyrën e mesfushorit Adri Mehmeti. Edhe pse vetëm 17-vjeçar me nëntë paraqitje në ndeshjet në MLS, ishte e qartë se sa shumë kishte rëndësi kjo ndeshje për të”, ka shkruar ky medium.  

Skuadra e Mehmetit krijoi epërsi prej dy golash në minutën e 52-të. Por më pas pranoi dy gola të shpejtë për 3:3. Skuadra e tij sërish kaloi në epërsi 4:3 në minutën e 71-të, por rezultati përfundimtar u vendos në minutën e 80-të. 

Për shkak se New York Red Bulli nuk e ruajti epërsinë e krijuar, ka shkaktuar pakënaqësi te Mehmeti, i cili ka kërkuar më shumë përkushtim nga bashkëlojtarët.   

“Ishim 3:1 dhe pësuam gol menjëherë pasi shënuam. Por mendoj se ka të bëjë me mentalitetin që të kthehemi sërish dhe të vazhdojmë dhe jo siç ndodhi që pranuam gola për 3:3. Nuk duhej të pranonim gola të tillë. Por gjërat dhe idetë tona mbesin të njëjta. Duhet të përmirësohemi, të bëjmë video-analizë dhe të jemi më të mirë në ndeshjen tjetër”, ka thënë Mehmeti. 

Mediumi amerikan e ka vlerësuar Mehmetin për fjalët e zgjedhura pas barazimit. Ata kanë thënë se ka kualitete të liderit dhe flet sikur të ishte shumë më i vjetër se për moshën që e ka aktualisht. 

“Duhet që të shohim para dhe të qëndrojmë të bashkuar e të luajmë lojë ekipore. Të luajmë në pjesën e kundërshtarit, ta kontrollojmë ndeshjen dhe ta kontrollojmë ritmin e lojës. Duhet të vazhdojmë dhe të fokusohemi në ndeshjen e radhës”, theksoi Mehmeti. 

New York Red bulli i ka 12 pikë pas nëntë ndeshjeve dhe zë vendin e tetë. 

Mehmeti u lind në New York, ndërsa ka luajtur për grupmoshat U15 të Shqipërisë dhe SHBA-së. Rrjedhimisht e ka të drejtën të vendosë se cilin vend do ta përfaqësojë. Ai iu bashkua Akademisë së New York Red Bullit në vitin 2019.