Gjermania ka “shkatërruar” Sllovakinë në ndeshjen vendimtare për vendin e parë në Grupin A të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës në futboll.
Me fitoren 6:0, të hënën mbrëma në Leipzig, Gjermania ka fituar grupin dhe ka siguruar biletën për Botërorin në SHBA, Kanada e Meksikë.
Gjermanët e përfunduan garën në grup me 15 pikë, tri më shumë se Sllovakia, që do të paraqitet në plejof. Irlanda e Veriut renditet e treta me nëntë pikë, ndërsa Luksemburgu mbeti pa pikë.
Nick Woltemade hapi serinë e golave në minutën e 18-të. Serge Gnabry shënoi golin e dytë, ndërsa Leroy Sane realizoi dy gola të tjerë në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë shënuan edhe Ridle Baku dhe Assan Ouedraogo.
Gjermania më 4 shtator kishte pësuar 2:0 në Bratislavë nga Sllovakia. Ai rezultat bëri që gara të mbetej e hapur deri në fund.
Në ndeshjen tjetër të Grupit A, Irlanda e Veriut fitoi 1:0 ndaj Luksemburgut.