Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, ka kritikuar fushat në Kupën e Botës për Klube. Ai ka thënë se “topi kërceu si lepur” gjatë fitores së skuadrës së tij kundër Seattle Sounders.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Lumen Field” të Seattlet, shtëpia e ekipit Sounders të MLS-së dhe ekipit të NFL-së Seattle Seahawks, me bari artificial të stadiumit të zëvendësuar me një bar hibrid të përkohshëm për turneun.
Spanjolli thotë se organi qeverisës botëror i futbollit, FIFA, duhet të shqyrtojë në të ardhmen cilësinë e fushave të ndeshjeve ashtu edhe stërvitjeve nëse dëshiron që Kupa e Botës për Klube të jetë “gara e nivelit më të lartë në botë”.
“Nuk do ta imagjinoja një fushë të NBA-së plot me vrima”, tha 55-vjeçari pasi skuadra e tij fitoi 2:0 për të siguruar vendin e parë në Grupin B në turneun që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ajo që më intereson vërtet është gjendja e fushës së lojës dhe e them këtë ditën që fituam. Topi kërcen pothuajse si një lepur”.
PSG-ja fitoi Ligën e Kampionëve në fund të majit me një fitore bindëse ndaj Interit në Mynih, duke kompletuar tripletën.
Luis Enrique tha se ekipi tij është dashur të përshtatë mënyrën e lojës që nga mbërritja e tyre në SHBA për shkak të kushteve të fushave.
“Lumen Field është shembull. Dikur ishte me bar artificial dhe tani është me bar natyral dhe duhet ta ujitin me dorë. E bën këtë në pushimin pas pjesës së parë, por fusha u tha përsëri pas dhjetë minutash”, shtoi ai.
“Për mënyrën se si luajmë, ky është një problem. Është shumë ndryshe nga fushat evropiane. Bari është ndryshe dhe për këtë arsye nuk është aq e lehtë të kesh të njëjtën butësi për të luajtur në stilin tonë – por ne u përshtatëm mirë dhe jemi shumë të lumtur”.
Kanë mbetur më pak se 12 muaj derisa Kupa e Botës të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jude Bellingham i Real Madridit kritikoi po ashtu fushën pas fitores 3:1 të skuadrës së tij kundër Pachucas.
“Fushat nuk janë aspak të mira. E mbajnë topin lart, topi mezi kërcen”, tha mesfushori anglez.
“Është e vështirë për gjunjë. Shpresojmë që dikush do ta shqyrtojë këtë para Kupës së Botës vitin e ardhshëm”.
Pesë nga stadiumet ku po luhen ndeshjet e Kupës së Botës – Mercedes-benz, Hard Rock, MetLife, Lincoln Financial Field dhe Lumen Field, do të shfrytëzohen po ashtu për ndeshjet e Kupës së Botës.
Të pesë fushat përdoren nga ekipet e NFL-së dhe zakonisht kanë bar artificial, por do të bëhen me bar natyral për Kupën e Botës, në mënyrë që të përmbushen kërkesat e FIFA-s.
Nuk është hera e parë që kritikohen fushat e stadiumeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lojtarët ishin kritikë për fushat edhe në Kupën e Amerikës verën kaluar. Portieri i Argjentinës, Emiliano Martinez tha se fusha në stadiumin “Mercedes-benz” ishte një “katastrofë” pas fitores ndaj Kanadasë.
Drejtori i garave të turneut kishte thënë se “bari në Atlanta nuk përbënte absolutisht asnjë kërcënim”.
Stadiumi “Mercedes-Benz” do të pres tetë ndeshje në Kupën e Botës verën e ardhshme, përfshirë një nga gjysmëfinalet.