Gara për titull të kampionit në Superligën e Kosovës në futboll vlerësohet e mbyllur. E mbyllur llogaritet edhe gara për vend të dytë. Por jo edhe për vendin e tretë dhe për të shmangur barazhin.
Pozitën e tretë e mban Malisheva me 47 pikë. Ka shtatë pikë më shumë se Prishtina, Llapi e Dukagjini.
Më afër Malishevës janë Ferizaj me 45 pikë e Gjilani me 42 pikë. Pra, janë gjashtë ekipe në “mesin” e tabelës. Të gjitha këto skuadra llogaritet se mund të përfundojnë lehtë në vendin e tretë, por edhe në vendin e tetë. Vendi i tretë siguron paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës, ndërsa vendi i tetë dërgon në barazh.
Deri në fund kanë mbetur edhe pesë xhiro.
Nga Superliga do të largohet Feronikeli 74, që i ka vetëm 15 pikë. Gjasat janë të mëdha që kësaj skuadre t’i bashkohet Suhareka, që me 33 pikë është në vendin e parafundit. Suhareka ka mbetur shtatë pikë prapa skuadrave të tjera.
Rrjedhimisht gara e fortë është për vendin e tretë dhe për t’i ikur vendit të tetë.
Trajneri i Dukagjinit, Ismet Munishi, thotë se gjithçka është e hapur.
“Është kampionat i vështirë. Ka rivalitet të madh dhe gjithçka është e hapur. Nuk ka pasur kampionat më rivalizues dhe në të njëjtën kohë më kualitativ. Kam menduar nëpërmjet Kupës, por nuk patëm fat me Dritën gjatë penalltive. Primare është mbijetesa, pasi kemi të bëjmë me kundërshtarë që kanë kualitet”, ka thënë Munishi për KOHËN, të mërkurën.

Të hapur luftën për mbijetesë dhe për një vend që dërgon në Evropë e cilëson edhe trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi. Ferizaj ka pasur rezultate pozitive në pranverë. Por ai thotë se synimi i Ferizajt është mbijetesa.
“Qëllimi ka qenë mbijetesa, të jemi në mesin e tabelës. Edhe pse jemi afër, qëllimi jonë është mbijetesa. Ende nuk e kemi siguruar mbijetesën. Janë pesë ndeshje deri në fund dhe diferenca e pikëve është shumë e vogël. Ne kemi qëllimin t’i marrim ndeshjet një nga një dhe t’i fitojmë pikët që na garantojnë mbijetesën. Pastaj, nëse vjen diçka më tepër, është bonus për ne. Por qëllimin e kishim të mbijetonim”, është shprehur Abazi.

Edhe Prishtina ka pasur ngritje me ardhjen e Arsim Thaqit në krye të shtabit teknik. Nën drejtimin e Thaqit, Prishtina ka siguruar finalen e Kupës. Në finale do të përballet me Llapin.
“Nëse marrim për bazë formën jo të mirë të Malishevës në ndeshjet e fundit, ka të drejtë secila skuadër të pretendojë vendin e tretë. Ferizaj është në ngritje e sipër. Po tregon lojë cilësore në këtë fund të kampionatit. Por dallimi nuk është i madh me pikë deri te pozita në të cilën është Dukagjini.
Për ne me rëndësi është finalja e Kupës. Aty jemi të fokusuar dhe nëse dalim siç duhet, mund të themi se kemi shpëtuar sezonin. Dalja në Evropë është shpëtim i sezonit për Prishtinën. Nëse Prishtina del në Evropë, sezonin e ardhshëm do të jetë pretendente kryesore për titull. Nuk do të jetë asgjë e lehtë, por jemi duke bërë maksimumin”, ka thënë Thaqi.
Në xhiron e 32-të janë këto ndeshje: Feronikeli 74 – Gjilani, Prishtina – Ballkani, Malisheva – Dukagjini, Drita – Llapi dhe Suhareka – Ferizaj.
Në xhiron e 33-të takohen: Gjilani – Malisheva, Dukagjini – Prishtina, Feronikeli 74 – Suhareka, Llapi – Ferizaj dhe Ballkani – Drita.
Xhiroja e 34-t ofron këto ndeshje: Suhareka – Llapi, Ferizaj – Ballkani, Drita – Dukagjini, Feronikeli 74 – Malisheva dhe Gjilani – Prishtina.
Në xhiron e 35-të luhen takimet: Dukagjini – Ferizaj, Feronikeli 74 – Prishtina, Gjilani – Drita, Malisheva – Suhareka dhe Ballkani – Llapi.
Në xhiron e fundit (36) takohen: Ferizaj – Gjilani, Prishtina – Malisheva, Drita – Feronikeli 74, Llapi – Dukagjini dhe Suhareka – Ballkani.