Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur ta mbështesë një turne futbolli për fëmijë në Luginë të Preshevës. Këtë FSHF-ja e bëri të ditur të hënën. Në turne do të paraqitet edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
FSHF-ja dhe sidomos Duka, janë kritikuar ashpër dhe vazhdojnë të kritikohen lidhur me vendimin për të organizuar bashkë me Serbinë, Kampionatin Evropian U21 të vitit 2027. Përkundër kundërshtimeve, sidomos nga tifozët, vendimi për të organizuar Evropianin bashkë me Serbinë tashmë është në fuqi.
FSHF-ja vazhdimisht bën përpjekje për të kthyer përkrahjen e tifozëve.
Turneu në Preshevë do të organizohet prej 24 deri më 28 korrik. Turneun e organizon Shoqata Sportive “Lëvizja nga Presheva. Do të paraqiten fëmijë të shkollave të futbollit Lugina, Qendra Sportive Preshevë, Tërnoci, Besa dhe fëmijë të diasporës shqiptare.
“Turneu do të realizohet në bashkëpunim me Komunën e Preshevës dhe Bujanocit. FSHF-ja do të kontribuojë me mbështetje materiale dhe financiare, për të mundësuar një organizim sa më dinjitoz të këtij eventi që ka në fokus zhvillimin e futbollit bazë dhe përfshirjen e fëmijëve të Luginës në aktivitete sportive.
Në fazën finale të turneut do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Federatës, Armand Duka”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.
