Ministrja franceze e sportit, Marina Ferrari, thotë se vendi i saj aktualisht nuk po e mendon bojkotimin e Kupës së Botës në futboll në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, pas tensioneve në rritje që lidhen me përpjekjen e Donald Trumpit për të kontrolluar Grenlandën.
“Për momentin që po flasim nuk ka dëshirë nga ministria për të bojkotuar këtë garë të madhe dhe shumë të pritur”, u tha ministrja e sportit, Marina Ferrari, gazetarëve francezë. “Megjithatë, nuk po paragjykoj se çfarë mund të ndodhë”.
Ferrari shtoi se dëshiron ta mbajë sportin të ndarë nga politika.
“Kupa e Botës 2026 është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë dashamirët e sportit”, shtoi ajo.
Politikani i majtë francez, Eric Vopuerel, tha se duhet të merret në konsideratë mundësia e një bojkoti nga Franca.
Edhe politikanë të shteteve të ndryshme kanë kërkuar bojkotim të Botërorit që mbahet këtë verë.