Kosova është pjesë e Grupit B së bashku me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.
Kampanjën kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm, “Dardanët” e nisin kundër Zvicrës në Basel. Ndeshjen ndaj Zvicrës e luajnë më 5 shtator, kurse pas tri ditësh e presin Suedinë në Prishtinë.
Përshëndetje zotëri Foda. Faleminderit që pranuat kërkesën tonë për këtë intervistë dhe shpresoj që pyetjet e mia do të jenë të qarta dhe të drejtpërdrejta.
Po, shpresoj të jetë ashtu.
KOHA: Le të fillojmë me raportimet e fundit rreth së ardhmes suaj. Ka pasur raportime për një interesim të Al Wahdas. A ka pasur ndonjë ofertë zyrtare, dhe nëse ka pasur, çfarë ju shtyu ta refuzoni?
Franco Foda: Nuk dua të flas tash për Al Wahdan. Për mua tash është me rëndësi që kam kontratë me Federatën e Futbollit të Kosovës deri më 30 nëntor 2025. Nëse kualifikohemi në Botëror vazhdohet kontrata deri vitin e ardhshëm, 30 qershor 2026. Kjo është për mua me rëndësi. Ne në vitin e fundit kemi zhvilluar diçka me lojtarët, me federatën. Janë kualifikimet për Botëror para derës. Kemi mundësi të kualifikohemi në Botëror. Për këtë ka qenë me rëndësi për mua ta përmbush këtë kontratë të vlefshme. Ndihem shumë mirë këtu në Kosovë, njerëzit janë shumë të mirë. Jemi pranuar mirë. Për këtë, kam vendosur ta vazhdoj punën time këtu në Kosovë.
KOHA: A e keni konsideruar largimin nga pozita e përzgjedhësit të Kosovës apo keni dashur ta respektoni kontratën me Federatën e Futbollit të Kosovës?
Foda: Jo, është biznes futbolli. Kur punon mirë, kur fiton ndeshje, kur ke sukses, atëherë gjithmonë ka interesim nga përfaqësuese të tjera apo klube. Por, jam person që i përmbahet kontratave. Dhe siç e ceka, ndihemi shumë mirë këtu, kemi edhe përgjegjësi ndaj lojtarëve, edhe ndaj Federatës. Pas dy muajve e kemi ndeshjen e parë në Zvicër, në eliminatore për Botëror. Është shumë me rëndësi që t’u përmbahesh kontratave, ta dish se cilat përgjegjësi i ke si trajner. Por, ka normalisht interesim dhe oferta kur je i suksesshëm. Kështu është biznesi i futbollit.
KOHA: Pas takimit që keni pasur me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, a ka qenë në diskutim edhe mundësia e vazhdimit të kontratës?
Foda: Jo, jemi takuar. Flas shumë shpesh me presidentin, është shumë normale. Në radhë të parë jam trajner i përfaqësueses A të Kosovës, por për mua personalisht është me rëndësi që në përgjithësi në futbollin e Kosovës të zhvillohen gjërat edhe më tej. Pos me përfaqësuesen A, angazhohemi edhe me ekipet e të rinjve U21 dhe U19. Për mua është me rëndësi që së bashku këtu të krijojmë një ide të lojës, identitet për çfarë dëshiron të qëndrojë futbolli kosovar. Ka shumë tema me të cilat flas rregullisht me presidentin. E në këtë bisedë në Vjenë ka qenë edhe për të ardhmen. Çfarë duam të zhvillojmë tutje së bashku me federatën. Sigurisht mund të mendosh afatshkurtër të ardhmen, në futboll është gjithmonë kështu. Në futboll është gjithmonë kështu, të kesh sukses afatshkurtër. Por, duhet të mendosh afatgjatë. Çfarë sjell e ardhmja. Cilët lojtarë të rinj janë në të ardhmen interesant për Kosovën. Ka shumë gjëra për të biseduar, e këtë e kemi bërë edhe në Vjenë.
KOHA: Është bërë një vit qëkur keni nisur detyrën si selektor i Kosovës. Si do ta përshkruanit këtë periudhë kohore si selektor i Kosovës?
Foda: Unë në mars të vitit 2024 kam filluar punën si trajner i Kosovës. Për mua dhe ekipin e trajnerëve ka qenë nder i madh që të punoj për këtë vend. Në fillim nuk ishte e lehtë, pasi duhet të mësonim gjithë lojtarët që i kemi në dispozicion. Natyrisht kur vjen në një vend tjetër, atëherë ka kulturë tjetër atje. Për mua personalisht është me rëndësi t’i kuptoj njerëzit, lojtarët. Kështu që në fillim nuk ishte e lehtë. Por, në muajt e parë e kishim një pasqyrë për lojtarët, për vendin, për njerëzit që punojnë këtu në Federatë. Më pas u munduam që idetë tona, idenë time, ta barti për zbatim tek ekipi kombëtar. U desh kohë. Është me rëndësi çfarë ideje ka trajneri, a u përshtatet lojtarëve që janë në dispozicion. Kështu hap pas hapi kemi adaptuar gjëra, ndryshuar, e besoj tash ekipi kombëtar është zhvilluar mirë. Në muajt e fundit kemi bërë shumë vëzhgime unë dhe ekipi i trajnerëve. Kemi bindur shumë lojtarë që të luajnë për Kombëtaren e Kosovës në të ardhmen. Ata duan të luajnë. Kemi një grup prej 30-35 lojtarëve të cilët mund të luajnë. Jemi zhvilluar shumë për një vit e gjysmë, e shohim pozitivisht të ardhmen.
KOHA: Gjatë rrugës ka pasur edhe sfida. Kujtojmë rastin e Edon Zhegrovës, Florent Muslijës dhe Arijanet Muriqit të cilët u suspenduan për thyerje të rregullores disiplinore. Kush ka vendosur për suspendimin e tyre?
Foda: Kështu është futbolli. Ka gjithmonë situata dhe si trajner duhet të ndërhysh. Për mua është me rëndësi që kur luan për Kombëtaren, është më e madhja për çdo lojtar. Unë jam një trajner që jam shumë i hapur. Flas me lojtarët e mi, mund të argëtohemi. Por, kur luan për Kombëtaren e Kosovës, duhet të kemi sukses. Nëse do të jesh i suksesshëm, atëherë duhet të ketë disiplinë brenda grupit. Mendoj se e kemi instaluar disiplinën. Kemi një frymë të mirë ekipore, atmosferë të mirë ekipore. Lojtarët më njohin tashmë. Dhe përkundër të gjithave, besoj se vërtet, për të arritur në nivelin më të lartë, për të pasur sukses, duhet të kesh ekip që brenda në fushë dhe jashtë saj është shumë i disiplinuar. Është një pikë që për mua personalisht është shumë me rëndësi. Por, u jep lojtarëve edhe shumë përgjegjësi. Që i bie se lojtarët mund të vendosin vetë gjëra, por gjithmonë brenda rregullave tona. Është shumë me rëndësi, pasi lojtarët në fushë duhet të marrin përgjegjësi. Këtë liri e kanë. Por, siç thash, ka rregulla. E rregullave duhet t’u përmbahen të gjithë, jo vetëm lojtarët, por edhe trajneri.
KOHA: A mendoni se gjatë kësaj periudhe i keni arritur synimet?
Foda: Po. Ne donim me çdo kusht të siguronim kalimin në Ligën e Kombeve. Këtë e realizuam. Në Ligën e Kombeve pjesërisht kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira. Besoj se ndeshja më e mirë ishte në Rumani. Kemi luajtur shumë, shumë mirë. Në shtëpi kundër Rumanisë, ishte fillimi dhe nuk zbatuam të gjitha gjërat në fushë që planifikuam. Por, me kohën përfaqësuesja ka përparuar. Ekipi mundohet idetë tona t’i zbatojë relativisht shpejt në fushë. Kundër Islandës më duhet të them se dy herë, nga organizimi taktik, fryma e lojës dhe disiplina në fushë, kemi luajtur shumë mirë. Për këtë me meritë jemi ngritur në Ligën B. Dhe e kemi arritur synimin e parë. Kemi dashur me çdo kusht në Ligën e Kombeve të jemi në Ligën B dhe na është realizuar ky synim. Mund t’i themi faleminderit ekipit se si është prezantuar, por edhe tifozëve. Pasi, këtu në stadium na kanë mbështetur jashtëzakonisht mirë. Kjo mund të ndihet, por edhe të gjithë besojnë se me përfaqësuesen mund të arrijmë edhe shumë.
KOHA: Në muajin shtator, Kosova e nis ciklin kualifikues për Kupën e Botës. Dhe, Kosova e nis kampanjën e re me dy kundërshtare shumë të forta, kundër Zvicrës dhe Suedisë. Sa janë gjasat reale që Kosova t’i fitojë gjashtë pikë në shtator?
Foda: Grupi është shumë i vështirë. Kemi Zvicrën, Suedinë, Slloveninë, që janë ekipe shumë të mira. Kanë qenë gjithmonë në evropiane apo botërore. Por, mendoj se me rëndësi për një ekip, ekipin e trajnerëve, për një vend, është besimi se mund të kualifikohemi për një Botëror. Është pikë shumë e rëndësishme dhe vendimtare. E dyta është të kesh ëndrra. Kur nuk ke ëndrra, atëherë nuk mund t’i realizosh ato apo nuk mund ta realizosh këtë ëndërr. Është grup shumë i vështirë. Por, nëse te ne gjithë lojtarët janë në formën e mirë fizike, kur gjithë lojtarët luajnë rregullisht në klube dhe nuk kemi lëndime në shtator, atëherë gjithçka është e mundur. Kemi kualitetin që të fitojmë kundër ekipeve të tilla. Por, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Grupi është shumë, shumë i vështirë. Por, ne kemi besimin dhe ëndrrën. Besojmë në kualitetin dhe forcën tonë, që mund të arrijmë në vendin e parë apo të dytë në grup. Por, siç thash në këtë grup gjithçka është e mundur, pasi kualiteti i ekipeve është shumë i lartë.
KOHA: Ndeshja kundër Zvicrës do të jetë e veçantë apo jo?
Foda: Besoj se po. Pasi ka shumë njerëz që jetojnë në Zvicër, e që janë me prejardhje nga Kosova. Pikërisht në Zvicër do të na mbështesin shumë tifozë. Është element pozitiv për ekipin, për ne të gjithë. Janë ndeshje të veçanta, por për këto jeton si lojtar, si trajner, që të luash në stadiume të mbushura, që ndeshjet të kenë rëndësi, që ta ndiesh presionin. Për ne, qartë një ndeshje me rëndësi të madhe, por do të provojmë çdo gjë për të marrë sa më tepër pikë të jetë e mundur, që në fund të ditës, të kemi mundësinë eventuale për kualifikim në Botëror. Por, nuk duhet të jemi të zemëruar apo trishtuar, nëse nuk e realizojmë këtë. Për mua është vendimtare, që ajo që kemi punuar në vitin e fundit, se si është zhvilluar ekipi, ashtu të paraqitemi. Pavarësisht nëse luajmë në shtëpi apo jashtë, të paraqitemi të guximshëm, të jemi të vendosur, të kemi kënaqësi në lojë, të kemi mentalitet të mirë loje, të luajmë me pasion. Që gjithmonë deri në minutën e fundit të besojmë në fitoren tonë. Për mua me rëndësi është të luajmë futboll të mirë. Që idetë tona që kemi për futbollin, t’i zbatojmë në çdo ndeshje në fushë. A do ta fitojmë çdo ndeshje? Nuk mund ta them. Por, tifozët apo të gjithë tifozët në Kosovë dhe ata që jetojnë jashtë, duhet ta kenë përshtypjen se është një ekip në fushë që jep qind për qind për këtë vend. Kjo për mua është me rëndësi.
KOHA: Cili është mendimi juaj për Granit Xhakën dhe Ardon Jasharin dhe a mendoni se e ka Kosova një futbollist të tillë si Xhaka, i cili është lider brenda dhe jashtë fushës?
Foda: Janë super lojtarë për përfaqësuesen e Zvicrës. Keni Granit Xhakën që ka pasur me Leverkusenin një stinor të jashtëzakonshëm. Është një super-lojtar, super njeri. Por, edhe te ne në përfaqësuese kemi lojtar lider, si Amir Rrahmani, i cili me Napolin është bërë kampion. Kemi Vedat Muriqin në Mallorca një lojtar po ashtu lider. Besoj se në muajt e fundit, lojtarët e rinj janë zhvilluar shumë. Si shembull Edon Zhegrova apo Lumbardh Dellova, një lojtar i ri që është zhvilluar e që në Bullgari e ka bërë hapin tjetër. Apo kemi Mërgim Vojvodën, që në Como ka bërë një hap tjetër për zhvillimin e tij. Kemi lojtarë që kanë aftësi të liderit, që në fushë janë liderë. Me ekipin tim jam i kënaqur. Por, siç thashë, Xhaka, Ardon Jashari, janë lojtarë shumë të mirë për ekipin kombëtar të Zvicrës.
KOHA: Kosova po ashtu do të përballet kundër Suedisë dhe Sllovenisë. Është mjaftueshëm të përmenden Victor Gyokeres dhe Benjamin Sheshko që me të vërtetë ta kuptojmë sa të forta janë këto dy përfaqësuese. Cilat janë gjasat e Kosovës ndaj Suedisë dhe Sllovenisë?
Foda: Suedia është gjithmonë një ekip, tash me Isakun, një top sulmues që ka realizuar gola. Veçanërisht në sulm kanë super përbërje. Kanë sulmues shumë të mirë e kualitativ. Në krah janë shumë mirë. Suedia është një ekip që taktikisht është i organizuar mirë. Luan në shumicën e kohës me sistem 5-3-2 apo 4-4-2. Sllovenia ka Sheshkon, lojtari më i mirë i tyre, dhe ka disa lojtarë që luajnë në Itali, që janë të shkolluar mirë në aspektin taktik. Është ekip që në aspektin defensiv luan shumë kompakt. Vazhdimisht shfrytëzon rastin. Suedia e Sllovenia kanë ekipe me sisteme të ndryshme, mënyra të ndryshme se si luajnë. E kemi parë se Sllovenia pranon pak gola. Është e vështirë të shënosh ndaj tyre. Në situata standarde janë të rrezikshëm. Suedia natyrisht ka kualitet të jashtëzakonshëm. Lojtarët luajnë të gjithë në Angli, në top-liga, veçanërisht në sulm kanë kualitet të madh. Por, nëse dëshiron të shkosh në Botëror, atëherë duhet të fitosh edhe ndaj skuadrave që ndoshta janë më të mira. Apo të luash ashtu që në fund të ditës, të përfundosh në dy vendet e para.
KOHA: Edon Zhegrova pritet po ashtu të jetë i gatshëm për ndeshjet e para të kampanjës së re. Sa i rëndësishëm është ai për ekipin?
Foda: Edoni është një lojtar, që kur është fizikisht mirë, i cili fatkeqësisht ka qenë i lënduar, është lojtar që mund ta bëjë dallimin. Ka driblim të mirë, mund të krijojë situata me avantazh për ekipin në mesfushë. Është i rrezikshëm para golit. Realizon gola. Bën pasime të mira finale. Kur është fizikisht mirë, pa lëndime apo në nivelin më të lartë fizik, për kombëtaren tonë është një lojtar shumë i rëndësishëm.
KOHA: Kemi parë disa emra të rinj që i janë bashkuar përfaqësueses seniore të Kosovës. Por a mund të shohim edhe lojtarë të tjerë të rinj që do t’i bashkohen ekipit, për shembull lojtarë si Leon Avdullahu, Dardan Shabanhaxhaj, apo ndonjë emër tjetër?
Foda: Ne shikojmë gjithë vitin ndeshje, përcjellim vazhdimisht se cilët lojtarë munden apo vijnë në diskutim për të luajtur për kombëtaren e Kosovës. Për këtë jemi vazhdimisht në kontakt me lojtarë. Dhe kemi tashmë Elvis Rexhbeçajn, Amir Shaipin, Vesel Demakun Bledian Krasniqin. Për të përmendur edhe disa lojtarë që kanë vendosur të luajnë për Kosovën, duhet kohë dhe durim. Kemi krijuar tashmë një ekip. Në miqësoret kundër Armenisë dhe Komoreve, kemi ftuar disa lojtarë të rinj, t’i shohim edhe te ne në stërvitje se si sillen, si është kualiteti, e si sillen në grup. Në shtator kemi dy ndeshje me rëndësi, nuk ka kuptim të ndryshojmë shumë gjëra. Është me rëndësi që si skuadër të funksionojmë menjëherë. Kemi pak kohë të përgatitemi, për këtë arsye në ato ndeshje nuk do të ndryshojmë shumë. Por, kemi gjithmonë shikimin. Jemi në kontakt me shumë lojtarë të tjerë të mirë, që për ekipin kombëtar të Kosovës mund të vijnë në diskutim në të ardhmen.
KOHA: Cili është vlerësimi juaj i sinqertë për gjasat e Kosovës për kualifikim në Kupën e Botës?
Foda: Është një pyetje e vështirë. Por, do të bëjmë çdo gjë. Do të bëjmë çdo gjë që mundemi, për të zënë një nga dy vendet e para. Por, kundërshtarët janë të mirë. Mirëpo, edhe ne, kemi treguar kundër Islandës dhe në ndeshjen në Rumani, që nëse luajmë me përqendrim, disiplinë, pasion, me ide, e kur çdo lojtar zbaton detyrën në fushë, atëherë çdo gjë është e mundur. Por, nuk mund ta them tash me përqindje. Por, besoj se grupi është shumë interesant, i ngushtë, besoj se në xhiron e fundit do të vendoset se kush do të përfundojë i pari apo i dyti. Por, do të tentojmë çdo gjë që të kualifikohemi në Botëror. Jemi në frymë pozitive. Na duhet shumë energji, por e di edhe se në ndeshjet e kombëtareve gjithmonë varet se në çfarë gjendje janë lojtarët, a luajnë në klubet e tyre rregullisht, a janë në ritëm të lojës, e po ashtu nuk duhet të kesh lojtarë të lënduar. Gjithë lojtarët e rëndësishëm duhet të jenë në dispozicion. Shumë faktor janë të rëndësishëm. Por, siç e thashë, jemi në frymë pozitive. Do të bëjmë çdo gjë të kualifikohemi për herë të parë në Botëror.
KOHA: Tashmë keni qenë pjesëmarrës në një ngjarje të madhe futbolli, siç është Kampionati Evropian, me Austrinë. Por, nëse Kosova kualifikohet për Kupën e Botës, si do t’i krahasonit këto dy arritje?
Foda: Besoj se nuk ka kuptim të flasim tash për atë se çfarë nëse kualifikohemi. Ka rrugë të gjatë që të kualifikohemi. Besoj me rëndësi në futboll është të mos shikosh shumë larg në të ardhmen. Por, tash kemi në shtator ndeshjen e parë në Zvicër. Kjo për ne është shumë me rëndësi. Në këtë koncentrohemi. Ekipi i trajnerëve dhe unë, do të bëjmë një përmbledhje për të gjithë lojtarët. Do të përcjellim shumë lojtarë nga afër, zhvillimin individual të tyre, e në shtator do ta ftojmë një ekip që jemi të bindur që kundër Zvicrës dhe kundër Suedisë, do të jetë në gjendje të fitojë ndeshje. Kjo është me rëndësi. E jo të mendojmë çfarë kur kualifikohemi për Botëror. Është shikim shumë larg në të ardhmen. E dimë se futbolli nuk jeton në të ardhmen, nuk jeton në të kaluarën. Jeton në të tashmen. Aktualisht koncentrohemi në ndeshjen e parë kundër Zvicrës.
KOHA: Shumë njerëz këtu në Kosovë që janë të lidhur me futbollin, mendojnë se më shumë lojtarë nga Superliga e Kosovës duhet të ftohen në ekipin senior të Kosovës, për ta përfaqësuar Kosovën. Çfarë mendoni për këtë dhe çfarë mendoni për ligën tonë në përgjithësi?
Foda: Unë shikoj shumë ndeshje të ligës së Kosovës. Jam gati çdo fundjavë. Shoh të gjitha skuadrat, lojtarët që mund të vijnë në pyetje për kombëtaren. Tash me Ron Raçin, kemi ftuar një lojtar të ri. Po ashtu Dion Gallapenin. Momentalisht është e rëndësishme që lojtarët si Lindon Emërllahu apo si Drilon Hazrollaj kanë bërë hapin tjetër, kanë ndryshuar ekipin. Ne përcjellim gjithë lojtarët. Të gjithë lojtarët që janë të mirë, që tregojnë performancë të mirë, pavarësisht nëse luajnë në Gjermani, Austri apo këtu në ligën kosovare, duhet të jenë të mirë, të kenë kualitet dhe mentalitet të mirë, që të na bindin. Nëse e bëjnë, atëherë secili ka mundësi të luajë për kombëtaren. Siç thash, shikojmë shumë ndeshje, njoh të gjithë lojtarët e rinj të talentuar këtu nga Kosova. Në ndeshjet miqësore, u kemi dhënë mundësinë disa lojtarëve. Por, e di se kundër Suedisë, Zvicrës e Sllovenisë, është një nivel më i lartë edhe në kombëtare. Për këtë është me rëndësi të kesh më tepër intensitet. Në ligat më të mëdha ka më tepër intensitet. Liga këtu është e mirë. Do të vijë edhe në korrik kur ka ndeshje ndërkombëtare, kur Drita e Prishtina të luajnë ndeshje ndërkombëtare, e do t’i shoh. Çdo lojtar që luan këtu ka mundësi të luajë për Kombëtaren A.
KOHA: Zotëri Foda, faleminderit për kohën tuaj edhe një herë tjetër, dhe ju uroj juve, ekipit tuaj, ekipit tonë, fatin më të mirë për kampanjën kualifikuese për Kupën e Botës dhe shpresoj që ta kemi mundësinë të flasim sërish, ndoshta për atë se cilat do të ishin shanset e Kosovës që ta kalonin fazën grupore të Botërorit.
Foda: Faleminderit. Shpresojmë se edhe ne së bashku me tifozët këtu, për këtë vend të arrijmë diçka të jashtëzakonshme. Do të ishte hera e parë që kualifikohemi në Botëror. Do t’i bënte gjithë vendit, futbollit këtu në Kosovë, mirë. Ne, ekipi i trajnerëve, lojtarët, do të japim çdo gjë për të arritur këtë synim shumë madhor.