Futboll

Flick: Real Madridi është skuadër shumë e mirë

Ancelotti-Flick

Foto: Associated Press

Skuadra e Barcelonës e ka lënë pas zhgënjimin e Ligës së Kampionëve dhe tani i gjithë fokusi është te “El Clasico”. Barça të martën u eliminua në gjysmëfinale të “Championsit” nga Interi. 

Barça të dielën nga ora 16:15 e pret Real Madridin në ndeshjen që i takon javës së 35-të të La Ligas. 

Trajneri Hansi Flick që e udhëhoqi Barcelonën të shtunën në konferencë për shtyp deklaroi se skuadra e Realit është shumë e mirë. 

“Pas humbjes nga Interi të gjithë e dinë se nuk është e lehtë. Kemi folur për atë që duam të bëjmë në këto dy javë. Kanë mbetur edhe katër ndeshje. ‘El Clasico’ është shumë i rëndësishëm. Duhet të tregojmë besim. Lojtarët po luajnë shumë mirë. Të gjithë e dinë se në një ‘El Clasico’ duhet të japësh 100 për qind. Duhet të jesh aktiv, intensiv, dominues. Real Madridi është ekip shumë i mirë. Kemi nevojë për tifozët”, ka thënë Flick. 

Barça pas 34 ndeshjeve është lidere në kampionatin spanjoll me 79 pikë. Katër pikë më pak i ka Reali në vendin e dytë. 

Fitorja e Realit do ta hapte garën për titull kampioni. Dallimi do të ishte vetëm një pikë. Ndërkohë nëse Barça fiton atëherë do të bënte hap të madh drejt titullit.