Futboll

Fizioterapisti tregon orët e fundit të Jotas, flet edhe për spekulimet

Fizioterapisti tregon orët e fundit të Jotas, flet edhe për spekulimet

Në një intervistë për gazetën sportive portugeze “Record”, fizioterapisti i Diogo Jotas, Miguel Goncalves ka folur për orët e fundit të futbollistit dhe ka qartësuar spekulimet lidhur me aksidentin fatal të ish-lojtarit të Liverpoolit.

Goncalves, që punon si fizioterapist respirator në spitalin San Joao në Porto, ka trajtuar yllin portugez vetëm pesë orë para aksidentit. Jota ka vuajtur nga penumotoraksi, përkatësisht nga kolapsimi i pjesërishëm i mushkërive.

“Kam filluar punën me të të shtunën e kaluar dhe isha me Jotan çdo ditë deri të mërkurën”, ka thënë Goncalves.

Diogo Jota vdiq në orët e para të së enjtes, në një aksident me veturë. Veturës së tij iu shpërthye goma dhe doli nga rruga derisa po bënte tejkalim. Vetura e tipit Lamborghini më pas u përfshi e gjitha nga flakët. Aksidenti ndodhi në Spanjë, ndërsa i vdekur mbeti edhe vëllai i Jotas, Andre Silva, po ashtu futbollist.

“U thashë lamtumirë atij dhe vëllait të tij, Andre, rreth orës 8:30 në mbrëmje të mërkurën. Kur u largua nuk kishte më dhimbje dhe ka dashur të kthehet në Liverpool. Vëllai i tij vendosi të shkonte me të, ta shoqëronte gjatë udhëtimit dhe kështu të kalojnë më shumë kohë së bashku”, ka shtuar mjeku Goncalves.

Vëllezërit po udhëtonin me veturë për në Angli, pasi fluturimi me aeroplan ishte me shumë rrezik për Jotan për shkak të operimit në mushkëri. Ata kanë planifikuar të udhëtojnë gjithë natën për të shmangur nxehtësinë. Plani ishte të ndaleshin në një hotel në afërsi të qytetit Burgos.

“Ai më tha se udhëtimi që do të zgjaste rreth tetë orë, por që do të ndaleshin në një hotel në afërsi të Burgosit për të pushuar. Diogo ishte shumë profesional”.

Të enjten dy vëllezërit është dashur të udhëtojnë me traget nga Santanderi i Spanjës për në Angli.

Faza përgatitore e Liverpoolit fillon javën tjetër te Liverpooli. Gruaja dhe fëmijët e Jotas është dashur të udhëtojnë ndërkohë për në Angli, me aeroplan.

“Familja është dashur të fluturojë më vonë, gjatë fundjavës, ndërsa për të hënën ai është dashur të ketë një kontrollim te mjeku në Liverpool”, ka vazhduar Goncalves.

Thashethemet që qarkulluan në mediat sociale që Jota ka festuar dhe ka konsumuar alkool, janë mohuar nga mjeku portugez.

“Kam lexuar disa gjëra që janë për keqardhje. Të jem i qartë: Diogo dhe Andre nuk kanë festuar fare.

Ata nuk ishin në të ashtuquajturin ‘disponim të mirë’”.

Fizioterapisti ka thënë se Jota priste shumë nga edicioni i ri.

“Ai besonte në rikuperim të suksesshëm dhe ishte entuziast për kampionatin e ri. Më tha që do të hiqte dorë nga turneu parasezonal në Japoni për të vazhduar rikuperimin”.

Aksidenti fatal ndodhi në rrugën A-52 në afërsi të Zamoras në Spanjë. 

Të premten kanë nisur ceremonitë e përcjelljes për Jotan dhe vëllain e tij. Varrimi është njoftuar se do të jetë të shtunën.