Futboll

Fitore për skuadrat shqiptare

Fitore për skuadrat shqiptare

Kampionia e elitës së futbollit të Shqipërisë, Egnatia, dhe fituesja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia e Shkodrës, kanë regjistruar fitore në ndeshjet e para të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Egnatia fitoi me rezultatin 2:0 në udhëtim te skuadra bjelloruse, Dinamo Minsk, në ndeshjen që u zhvillua në terren neutral, përkatësisht në “Mezokovesdi Varosi Stadion” në Hungari.

Regi Lushkja realizoi në minutën e 29-të, ndërsa Soumaila Bakayoko një minutë para fundit, realizuan për fitoren e skuadrës së drejtuar nga trajneri Edlir Tetova.

Egnatia nëse kualifikohet në rrethin tjetër kualifikues ballafaqohet me fituesin e ndeshjes Olimpija Lubjana – Inter d’Escaldes.

Fitore të enjten mbrëma realizoi edhe Vllaznia e Shkodrës.

Shkodranët në stadiumin “Loro Boriçi” fituan me përmbysje të rezultatit 2:1, ndaj Vikingur Reykjavik të Islandës, skuadrës që e eliminoi 9:0 me rezultat të përgjithshëm Malishevën e elitës së futbollit kosovar.

Karl Gunnarsson i kaloi mysafirët në epërsi 1:0 në minutën e dhjetë.

Por në pjesën e dytë, përkatësisht në minutat 67 dhe 75, golat për 2:1 i shënuan Melos Bajrami dhe Esat Mala. Mala ishte asistues te goli i parë.

Ekipi i drejtuar nga Edi Martini nëse avancon tutje, përballë do ta ketë fituesin e ndeshjes Hanvar Boltfelag – Brondby.