Futboll

Fillimi i suksesshëm i Përgjokajt si trajner i Dukagjinit

Ndue Pergjokaj

Tri fitore në tri ndeshje. Pesë gola të shënuar, asnjë i pranuar. Ky është bilanci i skuadrës së Dukagjinit nën drejtimin e trajnerit të ri, Ndue Përgjokaj.

Përgjokaj e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën te skuadra nga Klina.

Ai debutoi me fitore ndaj Ferizajt më 9 nëntor. Më pas futbollistët e Dukagjinit më 23 nëntor fituan ndaj Drenicës dhe të dielën edhe ndaj Llapit. Ndaj Ferizajt e Llapit, skuadra nga Klina ishte mysafire.  

38-vjeçari Përgjokaj drejtimin e Dukagjinit e mori më 5 nëntor. E zëvendësoi Ismet Munishin i cili i dha fund drejtimit të Dukagjinit një ditë më herët.

Përgjokaj të hënën është shprehur se çdo trajner e ëndërron një fillim me fitore. Ai është i lumtur për ecurinë, por meritat kryesore ua adresoi futbollistëve.

“Natyrisht, jam shumë i kënaqur me fillimin. Çdo trajner e ëndërron një fillim të mirë, pasi të jep vetëbesim për vazhdimësi. Për këto paraqitje meritat më të mëdha i kanë futbollistët, të cilët i falënderoj për angazhimin dhe karakterin që po e tregojnë. Atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë”, u shpreh Përgjokaj.

Në kohën kur Munishi e drejtoi Dukagjinin, Përgjokaj ishte pjesë e stafit teknik si ndihmëstrajner. Si kryetrajner po punon për herë të parë. 

Ai ka falënderuar presidentin e klubit dhe drejtorin sportiv për besimin që ia kanë dhanë për të udhëhequr ekipin e parë.

“Duhet ta falënderoj klubin për besimin që ka treguar, posaçërisht presidentin Fabian Veseli dhe drejtorin sportiv Korab Desku. Natyrisht, po mundohemi që t’ia shpaguajmë besimin klubit”, ka thënë Përgjokaj.

Dukagjini këtë edicion në Superligën e Kosovës ka tetë fitore, dy barazime dhe pesë humbje. Renditet në pozitën e tretë me 26 pikë.

Nga 26 pikë i kanë edhe Ballkani që është lider dhe Prishtina në vendin e dytë. Prishtina e ka një ndeshje më pak të luajtur.

Dukagjini në verë bëri ndryshime të mëdha në skuadër. Me Munishin ishte prej skuadrave kryesore në elitë dhe njëjtë po vazhdon me Përgjokajn. 

Ai ka treguar synimin që ka me skuadrën.  

“Për momentin jemi duke i marrë ndeshjet një nga një dhe me shumë qetësi, pasi besoj shumë te grupi i lojtarëve. Qëllimi ynë është të tregojmë formë të vazhdueshme. Synimet janë për pozitat që dërgojnë në Evropë”, ka theksuar Përgjokaj.

Dukagjini të mërkurën nga ora 12:30 e pret Ramiz Sadikun në ndeshjen për Kupë.  Ramiz Sadiku bënë gara në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.

Ndërkohë ndeshjen e ardhshme në Superligë, skuadra bardhegjelbër nga Klina e luan të dielën nga ora 13:00 ndaj kampiones në fuqi, Dritës. Kjo ndeshje luhet në Klinë.