Futboll

FIFA dënon FSHF-në për ndeshjen me Serbinë

Tifozët e Shqipërisë

Federata Shqiptare e Futbollit do të duhet të paguajë 161 mijë e 500 franga zvicerane, përkatësisht mbi 173 mijë euro, për shkeljet e bëra në ndeshjen e Shqipërisë ndaj Serbisë. Ky është vendimi i Komisionit Disiplinor të FIFA-s, i publikuar të mërkurën nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Ndeshja Shqipëri – Serbi u zhvillua më 7 qershor në “Arena Kombëtare” në Tiranë, në praninë e mbi 20 mijë shikuesve. Ka pasur fyerje të vazhdueshme ndaj serbëve e po ashtu hedhje të gjësendeve që bënë që ndeshja të ndërpritet shkurt në tri raste. Por nuk ka pasur ndonjë incident të rëndë që ka cenuar seriozisht rrjedhën e lojës.

FIFA, ashtu si pritej, ka gjobitur FSHF-në.

Pos me gjobë financiare, Federata Shqiptare është dënuar edhe me mbylljen e 20 për qind të kapacitetit të stadiumit për ndeshjen e ardhshme të Shqipërisë si vendase.  Ndeshja e ardhshme e kuqezinjve është më 9 shtator ndaj Letonisë, po në Tiranë.

“Ky dënim vjen për shkak të sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë: këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorim të gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.

Federata Shqiptare e ka vlerësuar vendimin e FIFA-s si “penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik”.

“Ai dëmton jo vetëm Federatën, por mbi të gjitha Komëbtaren. FSHF-ja u bën thirrje të gjithë tifozëve të Kombëtares që të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën tonë, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë. Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjëshëm mund ta mbështesim Kombëtaren siç ajo e meriton”, ka shkruar FSHF-ja.

Interesimi për ndeshjen Shqipëri – Serbi ishte i jashtëzakonshëm. Çmimi i biletave në treg të zi ishte shumë i lartë, por edhe çmimi zyrtar ishte vlerësuar i papranueshëm. Ka pasur festë gjatë gjithë ditës së ndeshjes në Tiranë, e po ashtu në stadium. Megjithatë nuk kanë munguar fyerjet ndaj serbëve dhe shkelje të tjera. Dhe një dënim i FIFA-s është ditur menjëherë që do të jetë i pashmangshëm.

Në fund kishte edhe dëshpërim te shikuesit për shkak të rezultatit të ndeshjes. Fitora e shumë dëshiruar nuk u arrit. Ndeshja përfundoi 0:0.

Në kualifikimet për Botërorin e vitit të ardhshëm, Shqipëria ka luajtur tashmë katër ndeshje. Ka një fitore, dy barazime e një humbje. Nuk është në pozitë të mirë për kualifikim, ndërsa shumë do të varet nga dy ndeshjet e ardhshme.

Derisa fitorja ndaj Letonisë më 9 shtator në Tiranë është obligim, ndeshja vendimtare mund të jetë ajo me Serbinë në Beograd, më 11 tetor. Është thuajse e sigurt se edhe në atë ndeshje do të ketë fyerje ndaj shqiptarëve dhe incidente të tjera. Udhëtimi i kaluar i kuqezinjve në Tiranë kishte përfunduar me njërin prej incidenteve më të rënda të dekadave të fundit. Lojtarët e Shqipërisë ishin sulmuar nga huliganët serbë, lojtarët e Serbisë dhe punëtorët e sigurimit. Por kanë mbetur në histori për shkak të përballjes me plot sukses me sulmuesit serbë. Ndeshja në fund ishte regjistruar 3:0 në të mirë të Shqipërisë.