Fusha sportive në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Hasan Prishtina” në Prishtinë ka marrë pamje të re. Dhe mjaft moderne po ashtu. Kjo është realizuar të shtunën kur edhe u inaugurua fusha e re e futbollit “FIFA Arena”, nga Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me FIFA-n dhe Komunën e Prishtinës. Inaugurimi i fushës së re është projekt që u dedikohet fëmijëve me ëndërr që një ditë të luajnë në skenën më të madhe të futbollit.
“FIFA Arena nuk është vetëm një fushë loje, por një ambient ku kultivohen vlera të rëndësishme edukative si respekti, bashkëpunimi, barazia dhe loja e ndershme. Për shumë nxënës, ajo mund të jetë hapi i parë drejt realizimit të ëndrrave sportive, ndërsa për të gjithë të tjerët, një vend ku krijohen kujtime, miqëso dhe vlera që zgjasin gjithë jetën”, ka shkruar FFK-ja të shtunën.
Përveç në SHFMU “Hasan Prishtina”, projekti është në përfundim edhe në SHFMU “Gjergj Fishta” në kryeqytet.
“Futbolli spontan apo i rrugës, i cili ka qenë gjithmonë i popullarizuar te ne, është pjesë edhe e programit tim dhe këto fusha do të ndihmojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin e talenteve. Po ashtu, në kuadër të futbollit spontan, kemi nisur edhe Ligën e Shkollave në bashkëpunim me komunën e Prishtinës, të cilën synojmë ta shtrijmë edhe në qytete të tjera”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

I pranishëm të shtunën në inaugurimin e fushës së re ishte dhe drejtori i federatave të Evropës në FIFA, Elkhan Mahmadov. Ai nënvizoi se ky është projekt global, i nisur nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
“Në gusht të vitit të kaluar në Paris presidenti Infantino e ka prezantuar këtë projekt, ndërsa implementimi i tij ka filluar këtë vit. Në mbarë globin do të ndërtohen fusha të vogla futbolli. Pas vizitës së fundit në Kosovë, presidenti Ademi i kërkoi presidentit Infantino që ky projekt të shtrihej edhe në Kosovë dhe sot jemi këtu për të inauguruar fushën në njërën nga dy shkollat më të mëdha të kryeqytetit tuaj”, ka shtuar drejtori i federatave të Evropës në FIFA, Elkhan Mahmadov. Ai ka shtuar po ashtu se fusha të tilla do të ndërtohen edhe në qytete tjera, ndërsa e ka përgëzuar Kosovën për arritjen historike, plejofin e Kupës së Botës 2026.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini dhe drejtoresha e SHFMU “Hasan Prishtina”, Sofie Bunjaku, falënderuan FFK-në e FIFA-n për realizimin e projektit.