Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Miratohet projektligji për shërbimet e pagesave, Murati thotë se do të ulet kostoja

komisioni per buxhet

Komisioni për Buxhet në mbledhjen e sotme ka miratuar projektligjin për shërbimet e pagesave, raporton Ekonomia Online.

Për këtë projektligj në komision raportoi ministri i Financave, Hekuran Murati i cili tha se me këtë projektligj ulen kostot e shërbimeve të pagesave bankare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ky projektligj synon ngritjen e nivelit të sigurisë së shërbimeve të pagesave, nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit, përmirësimin e mbrojtjes së përdoruesve të shërbimeve, si dhe uljen e kostove për shërbimet e pagesave të ofruara brenda vendit dhe për transferet ndërkufitare. Ky projektligj përafron kornizën ligjore dhe rregullative me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian në fushën e pagesave. Si rezultat, ai ofron mundësinë për përfshirjen e ofruesve të shërbimeve të pagesave (banka dhe jo-banka) në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, e njohur si SEPA (Single Euro Payments Area). Në këtë aspekt, projektligji paraqet bazën kryesore për plotësimin e kritereve për aplikim dhe pranim të vendit tonë në SEPA. Projektligji ofron një kornizë të përshtatshme me specifika teknike për shërbimet e pagesave dhe aktivitetet e ndërlidhura brenda Kosovës, duke u harmonizuar me direktivat përkatëse të BE-së dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Përmes këtij projektligji, synohet transpozimi i plotë i direktivave relevante”, tha Murati.

Ndërsa, kryetari i komisionit për buxhet nga radhët e VV-së, Enver Haliti e pyeti ministrin për ndikimin e këtij projektligji.

E, në përgjigjen e tij ministri Murati, tha se me rastin e integrimit në SEPA, kostot e transfereve do të uleshin nga disa qindra euro (që janë aktualisht për shuma më të mëdha) në vetëm disa euro

“Aktualisht, sipas vlerësimit në një studim që është bërë nga German Economic Team, pra një ekip me ekspertë gjermanë, përllogaritet që bizneset kosovare, por edhe familjet kosovare (përfshirë edhe diasporën), për momentin paguajnë rreth 58 milionë euro më tepër sesa që do të paguanin po të ishim të integruar në SEPA. Përbërja e kësaj kostoje është afërsisht gjysmë për gjysmë: Bizneset paguajnë rreth 28-29 milionë euro më tepër sesa që duhet ndërkaq Familjet dhe amvisëritë: Paguajnë pjesën tjetër të mbetur. Me rastin e integrimit në SEPA, kostot e transfereve do të uleshin nga disa qindra euro (që janë aktualisht për shuma më të mëdha) në vetëm disa euro. Kjo vlen për transferet ndërkombëtare me shtete si Zvicra, Gjermania apo vende të ngjashme që janë në të njëjtin sistem të integruar, por gjithashtu edhe me vendet e rajonit”, tha Murati para komisionit.