Federata e Futbollit e Kosovës ka dalë me reagim pas skandalit në ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve ndërmjet Lech Poznanit dhe Cërvena Zvezdës.
Skuadra serbe Cërvena Zvezda i ka falënderuar tifozët e Lech Poznanit që në ndeshjen për rrethin e tretë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve shpalosën në stadium një baner të madh me shkrimin “Kosova është Serbi”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPas përfundimit të ndeshjes, të cilën Zvezda e fitoi me rezultat 3:1, faqja zyrtare e klubit serb në platformën “X” publikoi një foto të banerit dhe shkroi “Faleminderit” në gjuhën polake (“Dziękujemy”), duke falënderuar publikisht tifozët e Lech Poznanit për këtë mesazh politik. Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave.
Polonia është ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Megjithatë, një pjesë e tifozëve polakë vazhdojnë të mbështesin narrativat serbe në çështjen e Kosovës.
“Federata e Futbollit e Kosovës i cilëson këto akte si provokim të rëndë politik, të turpshme e të papranueshme në një ngjarje sportive dhe shkelje flagrante të rregullave dhe parimeve të UEFA-s, e të cilat ndalojnë çdo lloj mesazhi politik apo diskriminues në stadiume. Këto janë sjellje që nuk i shërbejnë futbollit dhe përbëjnë nxitje të urrejtjes dhe cenim të integritetit sportiv”, shkruan në reagimin e FFK-së.
FFK-ja ka paralajmëruar ankesë në UEFA.
“FFK, menjëherë pasi ka vërejtur një shkelje të tillë, ka nisur procedurën e paraqitjes së ankesës zyrtare në UEFA, duke kërkuar masa disiplinore ndaj klubit Lech Poznań, përgjegjës për sjelljen e tifozëve të tij, si dhe ndaj Crvena Zvezdës për deklaratat publike që nxisin dhe legjitimojnë mesazhe kundër shtetit të Kosovës. FFK, si anëtare e UEFA-s, mbron dhe promovon vlerat që futbolli duhet të mbetet jashtë provokimeve politike dhe duhet të shërbejë si urë bashkimi, e jo përçarjeje, por kërkon me ngulm që këto parime të mbrohen edhe nga federatat e tjera anëtare”, shkruan FFK.
UEFA vazhdimisht ka shqiptuar gjoba dhe ndëshkime ndaj klubeve apo federatave për incidente të ngjashme.