Në stadiumin “Fadil Vokrri” është festuar goxha shpesh së fundi. Një javë më parë Kosova përfundoi kampanjën e suksesshme kualifikuese për Botërorin 2026, duke siguruar plejofin. Dhe festa u bë pikërisht në stadiumin në Prishtinë.
Tjetër festë në arenën kryesore sportive në vend do të ketë të enjten mbrëma. Do të jetë festë e veçantë, si asnjë deri më tani.
Në prag të festës së flamurit, Drita e Gjilanit dhe Shkëndija e Tetovës përballen në Ligën e Konferencës. Për herë të parë dy skuadra shqiptare përballen në fazë të ligës, përkatësisht fazë grupore, të kupave evropiane. Dhe ndeshja e dy prej skuadrave më të rëndësishme shqiptare është në natën para festës më të madhe të shqiptarëve, 28 Nëntorit.
Ndeshja i takon xhiros së katërt, ndërsa fillon në orën 21:00.
Pos shumë festive, atmosfera pritet të jetë e zjarrtë. Motivet kombëtare natyrisht nuk do të mungojnë, ndërsa në fushën e lojës pritet paraqitje interesante. Për të dy skuadrat pikët janë shumë të rëndësishme.
Drita e Shkëndija aktualisht janë në pozita që dërgojnë në fazën nokaut të Ligës së Konferencës. Drita është e 13-ta me pesë pikë. Ka një fitore e dy barazime. Në debutim nuk ka ende humbje në fazën e ligës në “Conference League”. Shkëndija është e 21-ta me katër pikë. Ka një fitore, një barazim e një humbje.
Do të jenë tifozët, “Intelektualët” e Dritës dhe “Ballistët” e Shkëndijës, që do të kujdesen për atmosferë festive e të veçantë.
“Kemi hyrë në javën e ndeshjes madhore, ndeshjes historike, me ndërthurje të mëdha emocionesh. Drita e pret Shkëndijën e Tetovës në Prishtinë. Një ndeshje mes dy klubeve shqiptare, në një arenë evropiane si Liga e Konferencës. Diçka e paimagjinuar më herët. Por, ja që erdhi koha ta përjetojmë, ta shijojmë”, ka shkruar tifo-grupi “Intelektualët” të hënën.
Ka një muaj që dy grupet e tifozëve kanë nisur mobilizimin për ndeshje. Numri i shikuesve, edhe atyre të paanshëm, pritet të jetë i madh. Ka shpresë që stadiumi do të mbushet.
Të shumtë do të jenë tifozët e shikuesit shqiptarë që do të vijnë edhe nga Maqedonia e Veriut.
“Ballistët” tashmë kanë publikuar detajet e udhëtimit për në Prishtinë. Tifozët shqiptarë nga Tetova do të udhëtojnë me autobusë dhe me vetura private. Në orën 19:00 të gjithë takohen në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe marrin rrugë për në “Fadil Vokrri”.
“Po afrohet ndeshja e shumëpritur, e cila përkon me festat kombëtare. Nëntori çdoherë është i zjarrtë në Tetovë, për këtë herë festën e zhvendosim në kryeqendrën shqiptare, në Prishtinë. Drita – Shkëndija do të mbahet mend gjatë”, shkruan në një prej postimeve të tifo-grupit “Ballistët”. Për shkak të qëndrimeve dhe paraqitjeve që bën, ky tifo-grup ka simpati të madhe në Kosovë. “Ballistët” në ndeshjen historike do ta festojnë edhe 33-vjetorin e themelimit.
Edhe klubet po i shërbejnë atmosferës festive.
“Një ndeshje, dy zemra shqiptare, një mbrëmje shqiptare në Evropë”, ka shkruar Shkëndija në një postim.
“Nga Vlora e Ismail Qemalit te Prekazi i Adem Jasharit – nëntori është muaji që na bën një. Mirë se vini në shtëpinë tuaj!”, ka shkruar Drita.
Rezultati do të ketë rëndësi, por ndeshja e së enjtes përfundimisht do të jetë “festë shqiptare”.