Futboll

Evropiani i futbollisteve synon ndikim global, Spanja synon titullin e parë

euro

Kampionati Evropian i futbollisteve ka ambicie globale. Turneu me 16 përfaqësuese fillon të mërkurën në Zvicër. Gjithsej janë 31 ndeshje, që do të transmetohen edhe në SHBA dhe në Amerikën Latine.

Pritet numër rekord prej 600 mijë shikuesve. Ndeshjet luhen në tetë stadiume, ndërsa UEFA ka njoftuar se bileta janë blerë në 120 shtete të ndryshme.

“Ne e dinim se duhej të aktivizonim një bazë më të madhe globale të tifozëve që udhëtojnë dhe ndjekin ekipet e tyre”, ka thënë Nadine Kessler, drejtoreshë menaxhuese e futbollit të grave dhe vajzave në UEFA.

Ajo tha se 35 për qind të biletave të shitura deri më tani shkuan te tifozët udhëtues. 5,000 bileta janë shitur në SHBA. Në Gjermani janë shitur 61 mijë bileta.

“Kjo nuk ka ndodhur më parë në futbollin e grave”, ka shtuar Kessler.

Kampionia e botës, Spanja, është favorite, ndonëse mbetet e paqartë situata e yllit të madh Aitana Bonmati. Spanja e luan ndeshjen e parë të enjten nga ora 21:0 në Bernë. Përballet me Portugalinë.

Ndeshjet e para janë ato të Grupit A. Të mërkurën Islanda e Finlanda takohen nga ora 18:00 në Thun, ndërsa Zvicra luan me Norvegjinë nga ora 21:00, në Basel.

Në Grupin B, të enjten, luhet edhe ndeshja mes Belgjikës dhe Italisë, nga ora 18:00, në Sion.

Danimarka – Suedia dhe Gjermania – Polonia janë ndeshjet e para në Grupin C, të premten, ndërsa të shtunën janë ndeshjet e para në Grupin D: Uellsi – Holanda dhe Franca – Anglia.

Ky është Evropiani i tretë me 16 përfaqësuese, ndërsa ka siguruar të hyra rekorde nga transmetuesit dhe sponsorët. 

Është njoftuar se të ardhurat e përgjithshme nga turneu do të jenë 130 milionë euro, dyfish më shumë se “Euro 2022”, që u mbajt në Angli. Fondi shpërblyes është rritur në 41 milionë euro nga 16 milionë sa ishte në edicionin e kaluar. Nëse fiton tri ndeshjet në grup, kampioni mund të marrë mbi 6 milionë euro.

Ndërkohë klubet që lirojnë lojtaret do të përfitojnë mbi 9 milionë euro. Edhe kjo shifër është dyfish më e madhe.

UEFA pritet të investojë rreth 25 milionë euro për turneun.

Pos Spanjës, që kërkon titullin e parë evropian, favorite llogaritet edhe Gjermania. 

Dy Evropianët e fundit i kanë fituar nikoqiret, Anglia dhe Holanda. Këto dy përfaqësuese janë në grup tani dhe përballen më 9 korrik në Zurich. Prania e Francës e bën grupin edhe më të vështirë.

Nikoqirja Zvicra nuk vlerësohet me shumë gjasa për sukses, ndonëse ka angazhuar trajneren shumë të suksesshme, Pia Sundhage. Një humbje 7:1 nga një ekip i djemve 15-vjeçarë vetëm solli më shumë dyshime për Zvicrën.

“Rezultati nuk kishte rëndësi”, tha Sundhage. Disa ditë më pas Zvicra fitoi 4:1 ndaj Çekisë.

Në Zvicër po i kushtojnë rëndësi të madhe Evropianit të futbollisteve. Mediat kryesore në vend po e mbulojnë vazhdimisht kampionatin e futbollisteve. Zviceranët shpresojnë që Evropiani të nxisë përparim në barazinë gjinore në futboll dhe në shoqëri. Synohet edhe dyfishimi i lojtareve, gjyqtareve, trajnerëve dhe drejtuesve të klubeve. 

Një sfidë për organizatorët pritet të jetë temperatura e lartë, sidomos në ditët e para të turneut. Por në përgjithësi pritet një Evropian interesant, që do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejmë të futbollit të grave dhe vajzave.