Në fillim të muajit shkurt, Lindon Emërllahu bëri kalimin e madh nga Ballkani i Suharekës te Cluji në Rumani. Cluji pagoi 700 mijë euro për kartonin e Emërllahut.
Dhe ende pa përfunduar viti 2025, mesfushori i Kosovës ka bërë tjetër lëvizje në karrierë.
Të enjten 23-vjeçari e kompletoi transferimin te skuadra ukrainase, Polissya Zhytomyr. Me klubin ukrainas nënshkroi për tre vjet, ndërsa do ta mbajë fanellën me numrin 14.
Cluji rumun nga shitja e Emërllahut ka përfituar afro 2 milionë euro. Paga vjetore e suhakasit te Polissya Zhytomyr është raportuar se do të jetë 500 mijë euro, pa përfshirë bonuset.
Emërllahu është vlerësuar shumë në futbollin rumun. Ai ishte prej mesfushorëve kryesor të Clujit.
Reprezentuesi i Kosovës të dielën për KOHËN ka treguar se pse vendosi që karrierën ta vazhdojë në futbollin ukrainas. Ai tregoi edhe për pritjen që i është bërë nga klubi i ri.
“Jam i lumtur me transferimin në Ukrainë te skuadra e Polissya Zhytomyr. Synimet e klubit janë për titull dhe dalja ne Evropë dhe besoj që do të arrijmë këtë gjë. Trajneri dhe gjithë pjesa tjetër më kanë pritur shumë mirë dhe me drejtuesit e klubit gjithashtu jemi takuar. Përgatitjet do t’i fillojmë më 14 janar”, ka thënë Emërllahu.
Mesfushori me tipare defensive te Cluji qëndroi vetëm dhjetë muaj.
Në 41 ndeshjet e zhvilluara me fanellën e Clujit, Emërllahu kontribuoi me gjashtë gola dhe tri asistime. E fitoi Kupën e Rumanisë.
“Te skuadra e Clujit në Rumani kam kaluar shumë mirë, ku kam qëndruar për afro një vit. Kam fituar Kupën e Rumanisë dhe jam falënderues për një vit të mrekullueshëm. Shpresoj që këtë edicion skuadra e Clujit t’i arrijë objektivat”, ka theksuar Emërllahu.
Ai u kërkua edhe nga skuadra rumune, por drejtuesit e Clujit refuzuan ta shesin te rivalët.
Në Ukrainë luajnë edhe tre reprezentuesë të tjerë të Kosovës. Mesfushori ofanziv, Muharrem Jashari, është pjesë e skuadrës LNZ Cherkasy. Baton Zabërgja paraqitet te Metalist 1925, kurse Ilir Krasniqi është te Kolosi, por tashmë ka arritur marrëveshje për transferim te Polissya. Ka mbetur vetëm që të zyrtarizohet te skuadra ku bashkëlojtar do ta ketë Emërllahun.
Emërllahu vazhdimisht ftohet nga Kosova. Ai vlerëson se në në ndeshjet kualifikuese për Botëror, përfaqësuesja ka treguar fytyrën e vërtetë.
“Mendoj që kemi grup mjaft të mirë lojtarësh dhe me ndeshjet e fundit kemi treguar fytyrën e vërtetë. Shpresoj të vazhdojmë kështu dhe pse jo të shkojmë në Botëror, të bëjmë ëndrrën realitet”.
Ai me “Dardanët” ka një gol të shënuar në 12 ndeshje të zhvilluara.